Arbnor Morina: Gabimi duhet të përmirësohet, trofeu duhet të quhet Kupa e Republikës së Kosovës

Futboll

Arbnor Morina: Gabimi duhet të përmirësohet, trofeu duhet të quhet Kupa e Republikës së Kosovës

Më: 14 maj 2021 Në ora: 17:56
Trajneri i mirënjohur, Arbnor Morina

Trofeu i këtij edicioni të Kupës së Kosovës ka zbarkuar në Podujevë, atje ku skuadra e Llapit e ka fituar atë.

Koha e rregulltë përfundoi me rezultatin 0-0, kurse vazhdimet u mbyllën poashtu me rezultatin e barabartë, por me gola (1-1).

Në penallti, skuadra e Llapit ishte më e saktë, me ç’rast fituan 4:3 dhe siguruar Kupën e parë në histori të klubit.

Megjithatë, një lëshim i madh ka ndodhur nga Federata e Futbollit të Kosovës në trofeun e këtij edicioni. Një gabim drejtshkrimor e ka dëmtuar imazhin e trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend.

Në vend të “Federata e Futbollit të Kosovës, është shkruar “Federata e Fudbollit të Kosovës”, gjë që ka bërë që të ketë reagime e kritika të mëdha.

Trajneri i mirënjohur, Arbnor Morina e ka komentuar këtë lëshim në një prononcim.

“Unë pashë gabimin në shkrim dhe me sa e di unë ky trofe nuk ka ndryshuar nga dita e parë, sepse asnjë skuadër nuk ka arritur të fitojë tri herë dhe të ketë në vitrina përgjithmonë. Unë mendoj se ai gabim mund të përmirësohet dhe duhet të përmirësohet që të jetë i plotë për të ardhmen. Njëkohësisht, unë si një nga pjesëmarrësit  direkt të themelimit të ligës së Republikës së Kosovës, preferoj që Kupa edhe më tutje të quhet Kupa e Republikës së Kosovës në futboll, edhe pse e di që sponsorizimi bën të vetën , por për mua ka qenë dhe do të mbetet Kupa e Republikës së Kosovës”, tha Morina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat