Planet e Gegës

Futboll

Planet e Gegës

Më: 15 maj 2021 Në ora: 11:37
Planet e Gegës

Trajneri kampion me Partizanin, Skënder Gega në një intervistë të gjatë për Neës 24, ka treguar planet e tij më të afërta që lidhen me akademinë për fëmijët, ndërsa shprehet se nuk e ka mbyllur me drejtimin e klubeve. Gega shton se ky ka qenë një vit i çuditshëm për sportin në të gjitha aapektet, teksa thekson se për titullin janë 2-3 ekipe që janë aty me meritë.

PROJEKTI PERSONAL TE MOSHAT- Fillimet e mija i kam pasur me fëmijët me thënë të drejtën. Në vitet 1995-96’ e kam filluar me ekipet e moshave të Partizanit. Gradualisht kanë ardhur gjërat duke u rritur, është një moment që unë vërtet e kam pasur ëndërr edhe time, edhe të familjes që të ndërtojmë diçka, të investojmë, por edhe të kontribuojmë te moshat.

Projekti po ecën siç janë fëmijët. Plot energji, do kujdes. Janë fillimet, nuk jam vetëm unë, ka shumë akademi në Shqipëri, është gjë pozitive. Në do të sjellim ndoshta edhe një koncept dhe mentalitet të ri.

Unë kam një eksperiencë prej shumë vitesh në Amerikë. Gjithçka që atje kam mësuar dhe e shikoj pozitive, ta hedh në vendin tim. Besoj se do i marrim frutat.

MUNGESA NË ELITËN E FUTBOLLIT SHQIPTAR- Mbase është edhe momenti për t’i parë gjërat më me qetësi, por edhe për të marrë një farë energjie. Kam marrë një staf shumë të mirë, asnjëherë nuk heq dorë nga futbolli.

E fillova me Kukësin, por e ndërpreva mbas javë së 11-të për disa arsye, ishte eksperiencës e mirë, pavarësisht se gjërat nuk shkuan siç i kisha planifikuar, tani për tani jam, i fokusuar tek akademia dhe fëmijët. Nuk kam arsye pse të tërhiqem përfundimisht nga elita. Në këto momente jam 100% i fokusuar tek akademia.

SEZONI AKTUAL NË SUPERIORE- Ky vit ka qenë i çuditshëm nga të gjitha aspektet. Ashtu filloi, megjithatë ka shumë bonuse në shumë aspekte. Shumë gjë e mirë që një pjesë e madhe u përgjigj, me gjithë problemet.

Janë disa ekipet që ja kanë dalë me sukses. Jam në kontakt me ekipin që kam drejtuar, por edhe me ishat, është pjesë e jetës. Është e pamundur të shkëputesh.

KUSH DO TË FESTOJË NË FUND? Edhe kur kam qenë trajner i Partizanit, në këto momente kemi qenë 9 pikë. Asnjëherë nuk kam qenë i qetë, deri sa të përfundojë matematikisht. Edhe tani, asnjërit nuk ia ka siguruar matematika.

Janë 2-3 ekipe që janë shumë afër me meritë. Është bërë kampionat i luftuar, nuk mund të them që ka më shumë kualitet se në të kaluarën. Garë e fortë, për mua është e rëndësishme të jetë “Fair-Play” dhe ta marrë më i miri. Edhe ata që s’fitojnë kampionatin, por janë në vendet e 2-ta apo të 3-ta, janë po me aq vlera, nuk mund t’i ndash.

VËSHTIRËSIA E RUAJTJES SË CIKLIT FITUES- Edhe në Angli ndodhi. Liverpuli shembulli më i mirë dhe më i madhi. Është mirë të vazhdosh projektet. Duhet investuar dhe përforcuar në pjesët ku nuk kanë funksionuar siç duhet gjërat. Eksperiencat janë të ndryshme.

Ndoshta edhe njëherë gabohet, por ndryshimet radikale ndikojnë. Kukësit në Kupat e Europës ishte shumë solid. Paraqitjet ishin shumë shpresëdhënëse. Mund të bënim shumë mirë me atë që kishim. Për arsye të ndryshme u shpërndanë. Do kohën e vetë çdo gjë. Të ketë vazhdimësi është punë dhe kujdes i madh.

RIKTHIMI I DINAMOS NË ELITË- Unë mendoj që është gjë shumë pozitive që Dinamo kthehet në elitë, për historinë që ky klub ka. Një ekipi të vogël në Superiore, i duhen shumë vite të krijojë historinë e Dinamos. Ata e kanë të ndërtuar.

Ka pasur periudha të vështira, por mendoj që është gjë pozitive. Vëllai im ka qenë pjesë, edhe unë kam qenë pjesë disa muaj, kur kam qenë 18-vjeç, por Partizani u tregua cik më i shkathët.

Është krenari, Dinamo është simboli i kampionatit shqiptar. Siç janë edhe Vlora dhe shumë ekipe që s’janë në elitë. Uroj që klubet e mëdha të kthehen dhe ta bëjnë sportin sa më të mirë.

Është fatkeqësi që nuk shikon Vlorën, Gjirokastrën, Kavajën, Elbasanin në elitë. Janë ekipe me tradita. Kjo nuk fillon që ka një sponsor të fuqishëm, tradita është pak më tutje. Uroj që të gjitha qytetet që e kanë pasur futbollin si pjesë të rëndësishme të kthehen një ditë dhe ta bëjnë Superioren të mirë të ndershme dhe “Fair-Play”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat