Pep Guardiola: Inovatori i palodhur i futbollit

Futboll

Pep Guardiola: Inovatori i palodhur i futbollit

Më: 15 maj 2021 Në ora: 21:36
Pep Guardiola

Në vitin 2012 Pep Guardiola u transferua në Nju Jork për një vit pushim. Pas vetëm 4 sezonesh si trajner dhe 14 trofeve të fituara me Barcelonën, ​​katalanasi ishte bërë figura më e admiruar në profesionin e tij, por ai kishte nevojë për ide të reja.

Dhe ai i vodhi ato në Nju York:i ulur në klasat e kursit të ekonomisë në Universitetin e Kolumbias, i fiksuar pas fitores së dytë të Barak Obamës,dhe duke u shoqëruar me Udi Alen dhe shahistin Gerri Kasparov. Guardiola e “futbollizoi” gjithçka që mësoi, duke zbatuar njohuritë në fushën e tij.

Një natë, gjatë një darke mes tyre Kasparov i tha:“Në momentin që fitova titullin e dytë botëror në vitin 1986, e dija se kush do të më rrihte në fund”. “Kush?”- pyeti Guardiola. “Koha”- u përgjigj Kasparov. Dhe koha i shkatërron shumë shpejt gjërat,veçanërisht në futboll.

Trajnerët e plotfuqishëm, bien shpejt nga piedestali. “Futbolli është evolucion”- i tha Guardiola biografit Marti Perarnau. Vetëm ai vazhdon që të përditësojë veten. Këtë javë ai fitoi kampionatin anglez me Mançester Sitin, titullin e tij të nëntë në kampionat në 3 vende të ndryshme dhe brenda 12 sezonesh.

Më 29 maj, Siti do të ndeshet me Çelsin në finalen e Ligës së Kampionëve. Por si u bë dhe si mbeti Guardiola trajneri më i madh i futbollit?Djali i një muratori lindi 50 vjet më parë në Santpedor, një fshat aq shumë katalanas, sa që shumë vendas flisnin gjuhën e ndaluar rajonale gjatë gjithë diktaturës së gjeneralit Francisko Franko.

Kur ishte adoleshent në akademinë e të rinjve të Barcelonës, ​​ai u zbulua nga trajneri i Barçës, Johan Krojf, shpikësi kryesor i futbollit që po luhet në shekullin XXI. Guardiola kishte një trup elegant, ishte i ngadaltë dhe nuk ishte shumë i aftë në driblime, por Krojf

e përshiu gjithsesi në ekipin e parë, pasi Guardiola ishte shumë i aftë në leximin e lojës. Lojtari më i ngadaltë në ekip, ishte ai që e lëvizte më shpejt topin në fushë.

“Unë nuk dija asgjë për futbollin derisa takova Krojfin”- tha më vonë Guardiola. Tek Barça, ai përvetësoi parimet e Krojfizmit:luaj me pasime diagonale me një prekje në gjysmën e fushës kundërshtare, mundohu të fitosh topin në çast sapo e ke humbur, krijo hapësirë ​​ose zvogëloje atë dhe mos hiq dorë në asnjë rast nga idetë e tua.

Ai mësonte gjithçka, nga poezia katalanase tek taktikat e basketbollit. Në vitin 2008, pasi kishte stërvitur ekipin B të Barçës për një sezon, klubi befasoi botën e futbollin duke e emëruar rishtarin 37-vjeçar si trajnerin e ekipit të parë. Brenda 10 muajsh ai fitoi ligën dhe kupën e Spanjës, si dhe Ligën e Kampionëve.

“Ai moment ishte fundi i karrierës sime, kisha fituar gjithçka tashmë”- kujton ai me shaka.

Ai ishte një trajner krojfist, por me më shumë rigorozitet dhe inteligjencë emocionale se sa vetë Krojf. Vetë holandezi e konsideronte dikur Guardiolën dhe Denis Bergkamp si lojtarët më racionalë dhe më largpamës që do të kishte dashur çdo trajner:“Ti mund t’i kërkosh atyre këshilla, pasi ata mund të mendojnë edhe për problemet e të tjerëve”.

Guardiola mundi të vinte në jetë idetë e tij në fushë. Ai i nxiti lojtarët të zbatonin “rregullin e 15 pasimeve” (bëni 15 pasime para se të përpiqeni të shënoni) dhe “rregullin e 5 sekondave” (pasi të humbni topin, shpenzoni 5 sekonda në ndjekje të topit,për ta fituar sërish atë).

Ai ishte po aq analist i videove të ndeshjeve sa edhe trajner i ekipit. Në një ditë të zakonshme pune, ai kalonte 90 minuta duke e trajnuar ekipin e tij, dhe 6 orë në zyrën e tij duke parë ndeshjet e kundërshtarëve të ardhshëm. Ai do t’i shikonte ato derisa “të vinte më në fund momenti i shkëlqyeshëm që i jep kuptim profesionit tim”.

Në një shpërthim frymëzimi që zgjaste mbase vetëm 1 minutë, ai do të identifikonte të metën fatale të kundërshtarit dhe do të thoshte “E kam gjetur atë, ne do të fitojmë!”. Më e famshmja, një mbrëmje maji të vitit 2009, ai vuri re një të metë serioze përpara mbrojtjes së Real Madridit, që do ta shfrytëzonte lojtari i tij më i mirë Lionel Messi.

Miku i Guardiolas, Ksavier Martín, ekonomist i Universitetit të Kolumbias, e krahasoi atë me kompaninë spanjolle“të modës së shpejtë” Zara, që mund të nxjerrë një koleksion të ri çdo dy javë:“Pep është një risi e vazhdueshme në botën e futbollit”.

Vështirë se dikush mund të largohet vullnetarisht nga Barcelona, apo të vazhdojë të sjellë risi edhe kur është në majë, por Guardiola e kuptoi se të mësuarit kërkonte emigrimin e tij diku tjetër. Pas Nju Jorkut, ai udhëtoi me gruan e tij Kristina dhe tre fëmijët në Gjermani, ku firmosi një kontratë të re me Bajernin e Mynihut.

Ai e orientoi lojën e ekipit të tij më shumë drejt qendrës së fushës. Synimi i Guardiolës nuk ka qenë kurrë thjesht për të fituar. Por të luajë futbollin më të mirë të së tashmes. Ai ka pasion golfin, filmat, ushqimin dhe ankesat mbi politikën spanjolle, por kurrë për shumë kohë.

Ndihmësi i tij Manuel Estiarte, dikur një lojtar legjendar i vaterpolos, foli për “ligjin e 32 minutave”:kjo është koha më e gjatë që Guardiola mund të kalojë pa menduar për futbollin. Në vitin 2016 ai shkoi tek Mançester Siti,pasi i besoi shefit ekzekutiv Ferran Soriano dhe drejtorit sportiv Tiki Begiristain, me të cilët kishte punuar tek Barça.

Guardiola ka vazhduar të prodhojë risi. Ndonjëherë eksperimentet e tij dështojnë, por nëse nuk eksperimenton, atëherë nuk je duke evoluar. Këtë sezon ai fuste në fushë një skuadër pa një sulmues të mirfilltë. Edhe në nëntorin e vitit të kaluar, kur Siti renditej i dhjeti në kampionat, ai ishte i kënaqur që ishte atje ku ishte, duke drejtuar një ekip kokë-ulur por ende të etur për të fituar.

Ai ka dhuntinë e rrallë të vlerësimit më shumë të procesit sesa të rezultateve. Por ku mund ta përditësojë veten në të ardhmen? Ai nuk do të gjejë një ambient pune të nivelit më të lartë, dhe që nuk ka shumë fërkime sesa tek Siti. “Unë kam trajnuar në Spanjë dhe Gjermani, dhe mund të them se liga angleze është më e vështira”- thotë ai.

Ai do të vazhdojë të evoluojë akoma, pasi këtë e kërkon edhe botëkuptimi i tij. “Fëmijët e mi do të jenë më të aftë se unë”- shpjegon ai. “Dhe padyshim që trajnerët e së ardhmes, do të më tejkalojnë mua. Por ndoshta jo ata të së tashmes”- thekson ai. / Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat