Mitrovica thyen rekord në krye me Suada Jasharin!

Futboll

Mitrovica thyen rekord në krye me Suada Jasharin!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 maj 2021 Në ora: 14:39
Suada Jashari

Mitrovica e rekordeve, 20 ndeshje, 19 fitore, 1 barazim, 165 gola të shënuara e vetëm 4 të pësuar, me 58 pikë të mbledhura, shpallen kampion i ri i Kosovës në konkurrencën e femrave. 

Është skuadra bindshëm me sulmin më të mirë dhe me mbrojtjen më të fortë në ligë, me plus 8 pikë para vendit të dytë Kosova VR.

Kjo u arrit falë punës të te gjithëve, nga kryesia, futbollistet, sidomos nga kryetrajnerja Suada Jashari, e cila bëri punë të madhe me vashat.

Image

Puna, angazhimi, disiplina dhe harmonia, ishin edhe produkt i fitoreve bindëse në secilën ndeshje. 

Mitrovica e përmbylli edicioni në mënyrën më të mirë, me fitore bindëse me rezultat 10:0 ndaj Jakovës, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Suada ka ndërtuar një ekip të frikshme për rivalet, me një mesatare të golave 8.2 për ndeshje ose me gola të pësuar me 0.5 për ndeshje.

Mitrovica nuk kishte konkurrencë, treguesi më i mirë është edhe epërsia në pikë ndaj vendit të dytë por edhe shënimi dhe pësimi i golave. 

Suada ka objektivat e qarta, tani do të përgatitet për garat kualifikuese për Champions League.   

Image

Suada, Mitrovica vazhdon sundimin, ku është çelësi i këtij suksesit dhe a mendoni se ne Evropë do të jeni edhe më të fortë?

“Mitrovica vazhdon të bëhet kampione sepse vazhdon të punoj e të investoj për këtë punë. 

Falë mbështetjes, investimit dhe punës së palodhshme që bëhet gjatë gjithë vitit vijnë edhe këto rezultate e suksese që nuk janë të rastësishme.

Në Evrope ne çdo vit mundohemi që të bëjmë paraqitje sa më të mirë dhe pse duhet ta dijmë që atje kemi ndeshje shumë të vështira sepse të gjitha ekipet janë shumë të forta.

Ne gjatë gjithë vitit pothuajse nuk kemi asnjë ndeshje të fortë ose ndeshje që i ngjan atij niveli dhe pak a shumë është një faktorë që na penalizon, por gjithsesi ne përgatitemi maksimalisht që të bëjmë paraqitje dinjitoze e të kemi ngritje dhe në nivel europian”, thotë Suada për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Koha e pandemisë si të çdo skuadër edhe të KFF Mitrovica ka shkaktuar mjaft telashe. 

“Kemi pas vështirësitë tona si e gjithë bota, por qysh prej fillimit të pandemisë ne jemi mundu të stërvitemi gati gati pa ndërprerje, secila në ato kushte që kemi mundur, pastaj kur na u leju lëvizja ne kemi vazhdu me stërvitje e me gara, pavarësisht që kemi pas vështirësi por të gjitha i kemi tejkaluar e shpresoj që shpejt gjithçka të normalizohet e të kthehen edhe shikuesit nëpër tribuna”, thotë Suada.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat