Luhen gjysmëfinalet e para, Vllaznia dhe Apolonia në avantazh

Futboll

Luhen gjysmëfinalet e para, Vllaznia dhe Apolonia në avantazh

Më: 16 maj 2021 Në ora: 18:06
Luhen gjysmëfinalet e para, Vllaznia dhe Apolonia në avantazh

Janë luajtur këtë fundjavë dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kampionatit Kombëtar të femrave për grupmoshën nën 15 vjeç, kompeticion ky që zhvillohet për herë të parë këtë edicion, në kuadër të strategjisë së Federatës së Futbollit për të masivizuar futbollin e femrave në të gjithë vendin dhe rritur cilësinë.

Të shtunën Vllaznia priti Lushnjen, në një ndeshje shumë të bukur dhe plot emocione, duke parë që u realizuan 4 gola, me vajzat kuqeblu që në fund triumfuan 3-1. Ky rezultat i jep një avantazh të rëndësishëm shkodraneve përpara ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet në Lushnje fundjavën e ardhshme.

Gjithçka gjithsesi është e hapur dhe priten gola e emocione të mëdha dhe në përballjen e dytë në “Roza Haxhiu”.

Këtë të diel u luajt ndeshja tjetër gjysmëfinale, ajo që pa të përballeshin Apolonia me Kinostudion, në një sfidë shumë të luftuar dhe që u vendos me një gol të fierakeve, të cilat fitojnë në këtë mënyrë ndeshjen e parë. Kinostudio zhvilloi një ndeshje të bukur, plot dëshirë dhe grintë, duke kërkuar me ngulm një rezultat pozitiv që do t’i afronte më shumë drejt finales së madhe.

Finalja është ende e arritshme duke parë që të dielën e ardhshme në Tiranë do të luajnë ndeshjen e kthimit.

Në datë 22 maj do të zhvillohen ndeshjet e kthimit për fazën gjysmëfinale ndërkohë që finalja e madhe do të zhvillohet në Tiranë më 29 maj 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat