Ademi përgëzon FC Prishtina dhe KF Llapi 

Futboll

Ademi përgëzon FC Prishtina dhe KF Llapi 

Më: 16 maj 2021 Në ora: 22:24
Ademi përgëzon FC Prishtina dhe KF Llapi 

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, nëpërmjet një mesazhi ka uruar FC Prishtina dhe KF Llapi, dy skuadrat që këtë edicion u kurorëzuan me trofe. Derisa FC Llapi ditë më parë iu gëzua Kupës së Kosovës, duke e mundur pas penalltive Dukagjinin (4:3), Prishtina sot iu gëzua titullit të kampionit të Superligës, pas fitores kundër Gjilanit (2:1).

Mesazhi i presidentit Ademi: Të nderuar drejtues, futbollistë, trajnerë, staf teknik dhe tifozë të FC Prishtina dhe të KF Llapi, më lejoni që në emrin tim dhe të KE të FFK-së t’ju uroj për titullin e kampionit në Superligë, përkatësisht për suksesin në Kupën e Kosovës.

Ky edicion i Superligës për herë të parë u zhvillua në formatin e ri të garave me 10 skuadra dhe solli ngritje të cilësisë por edhe rivalitet të madh, si në garën për titull e dalje në Evropë, ashtu edhe në atë për mbijetesë.

Sot, një javë para përfundimit të këtij kampionati, FC Prishtina arriti t’i gëzohet titullit të kampionit, që për këtë klub është i veçantë, ngase ky trofe i ka munguar tash e 8 vjet.

I veçantë dhe historik ishte edhe suksesi i KF Llapi në Kupën e Kosovës, pasi ishte trofeu i parë i këtij klubi, që ua siguron edhe debutimin në garat evropiane.

Sigurisht se sikurse ju, edhe ne do të kishim dëshirë që pjesë e festës tuaj në ndeshjet vendimtare të ishin edhe tifozët në stadium, por pandemia Covid-19 ende po na e pamundëson një gjë të tillë.

Uroj që edicionin e ri të garave të krijohen rrethanat që të luani në praninë e tifozëve, të cilët pa dyshim i japin ngjyra spektakli dhe magji lojës sonë të dashur – futbollit.

Duke ju dëshiruar sukses dhe përfaqësim dinjitoz në garat evropiane, ju përgëzoj të dyja klubeve edhe një herë për suksesin e arritur dhe për lojërat e treguara në këtë edicion.

Ju inkurajoj të vazhdoni të punoni me përkushtim e vendosmëri në progresin e lojës së futbollit!", ka shkruar Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat