Camolese, seminar me trajnerët: Kështu përmirësojmë nivelin e trajningut

Futboll

Camolese, seminar me trajnerët: Kështu përmirësojmë nivelin e trajningut

Më: 18 maj 2021 Në ora: 19:47
Camolese, seminar me trajnerët: Kështu përmirësojmë nivelin e trajningut

Drejtoria Teknike e Federatës Shqiptare të Futbollit organizoi një seminar teorik dhe praktik me trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale nga të gjitha zyrat e Federatës në gjithë vendin.

Seminari i organizuar në bashkëpunim edhe me Sektorin e Ekipeve Kombëtare në FSHF u zhvillua në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës dhe u drejtua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese.

Në pjesën e parë të ditës trajnerët punuan me leksionet në pjesën teorike për mënyrën se si duhet punuar me futbollistët e vegjël, duke u përditësuar me metodologjitë me të reja, ndërsa në pjesën e dytë të ditës seminari u spostua në fushë për të praktikuar të gjitha ushtrimet dhe leksionet. Në këtë seminar morën pjesë edhe disa nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave.

Në prononcimin e tij për Fshf.org, Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese tha se objektivi i këtij seminari është të përmirësojë nivelin e trajnerëve dhe si rrjedhojë të ndihmojë në zhvillimin e përfaqësueseve rajonale të FSHF-së.

Camolese u shpreh i kënaqur nga pjesëmarrja e trajnerëve dhe theksoi se sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF do të vijojë me zhvillimin e aktiviteteve të tilla, së bashku edhe me trajnerin e Kombëtares, Edoardo Reja.

“Kemi ftuar në këtë seminar trajnerët tanë të zyrave rajonale të FSHF-së. Jam i kënaqur për faktin se shumë prej tyre janë këtu me ne sot. Kemi folur për futboll, kemi parë ushtrime për të përmirësuar nivelin e djemve që aktivizohen me ekipet përfaqësuese rajonale.

Objektivi është i njëjtë për të gjithë, duke përmirësuar nivelin e trajnerëve dhe duke i ballafaquar mes tyre ata përmirësojnë më pas cilësinë e seancave të tyre stërvitore, nga e cila përfitojnë futbollistët e rinj.

Objekti tjetër është t’i japim diçka më shumë këtyre djemve, që vijnë në stërvitjet e përfaqësueseve rajonale, por më pas edhe trajnerëve që mund të kalojnë edhe në klube në të ardhmen. Trajnerët janë shumë të vëmendshëm, kemi parë dhe diskutuar për shumë ushtrime, që vijnë pak nga të gjitha vendet e botës, por gjëja që u kam thënë është se ne duhet të zhvillojmë futbollin e Shqipërisë, kështu që ne jemi ata që duhet të propozojmë ide të reja.

Do të kemi edhe aktivitete të tjera të ngjashme, edhe sepse trajneri i Kombëtares, Edy Reja është shumë i interesuar për të bashkëpunuar më të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare, të cilët erdhën sot në këtë seminar dhe me ata të cilët punojnë në zyrat rajonale të FSHF-së. Synimi i përbashkët është që të vazhdojmë të mësojmë dhe të propozojmë ide të reja”, – tha ndër të tjera Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat