Përcaktohet finalja

Futboll

Përcaktohet finalja

Më: 19 maj 2021 Në ora: 19:34
Përcaktohet finalja

Janë zhvilluar këtë të mërkurë dy ndeshjet e fazës gjysmëfinale të Kategorisë Superiore U-19 për edicionin 2020/2021, që kanë përcaktuar edhe çiftin finalist, nga ku do të përcaktohet edhe fituesi Kombëtar për këtë kategori.

Akademia e Futbollit – Shënkolli do të jetë finalja e madhe e këtij sezoni futbollistik, që ka sjellë shumë garë dhe emocione në futbollin e moshave.

Akademia e Futbollit kaloi në finale pas ndeshjes së zhvilluar paraditen e sotme ndaj ekipit të Partizanit, ku arriti të fitonte vetëm pas gjuajtjeve nga penalltitë. Një ndeshje mjaft e luftuar, ku u shënuan edhe dy gola, me Bramën që kaloi në avantazh ekipin e Akademisë së Futbollit që në minutën e 5-të të takimit. Të kuqtë patën disa raste gjatë pjesës së parë, por që nuk mundën të barazonin rezultatin. Në minutën e 55-të të takimit, Matmuja humb shansin për të dyfishuar shifrat, duke mos dërguar në rrjetë një top nga pika e bardhë e penalltisë.

Në minutën e 69-të, ekipi i Partizanit gjen golin e barazimit përmes Abdulaj, i cili dërgon në rrjetë topin nga pika e bardhë e penalltisë. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 1-1. Djemtë e Akademisë së Futbollit u treguan më të saktë nga penalltitë, ku fituan me rezultatin 7-6, duke kaluar kështu në finalen e madhe.

Ndërkaq, në ndeshjen tjetër të zhvilluar këtë pasdite, mes Shënkollit dhe Tiranës, ekipi i Shënkollit është skuadra e dytë finaliste. Edhe kjo sfidë përfundoi me rezultatin 1-1 kohën e rregullt, me lezhjanët që kaluan shpejt në avantazh. Daija zhbllokoi rezultatin për ekipin e Shënkollit që në minutën e 14-të të takimit. Në pjesën e dytë të lojës, pas disa rasteve të krijuara, Musaj finalizon  për kryeqytetasit dhe barazon rezultatin e lojës.  Lojtarët u drejtuan drejt penalltive, me lezhjanët që goditën më saktë, duke fituar me rezultatin 6-5.

Fituesi i kësaj Kategorie do të diskutohet mes Akademisë së Futbollit dhe Shënkollit, dy ekipe që kanë bërë një sezon mjaft të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat