Kastrioti uli ritmin para kohe

Futboll

Kastrioti uli ritmin para kohe

Më: 29 maj 2021 Në ora: 14:23
Kastrioti uli ritmin para kohe

Ndonëse bëri një gjysmë të parë të kampionatit në mënyrë perfekte, Kastrioti uli ritmin para kohe dhe tashmë e sheh veten në fazën Play Out, pasi do të duhet të luajë një ndeshje shtesë me Tomorin e Beratit, për të siguruar mbijetesën në Superiore.

Trajneri Ramadan Ndreu doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku analizoi shkaqet që kanë çuar krutanët në këtë situatë dhe u shpreh optimist që skuadra do të bëjë detyrën ndaj Tomorit, për të treguar se e meriton Superioren.

A e kishit menduar se në fund të sezonit do të kishit nevojë për këtë ndeshje shtesë për të mbijetuar?
Absolutisht që jo. Në fillim të kampionatit e kishim menduar, por pas dy fazave të para mjaft të mira, nuk e kishim imagjinuar më një situatë të tillë. Megjithatë futbolli është i tillë dhe të çon gropë.

Ku mendoni se gaboi Kastrioti në gjysmën e dytë të kampionatit?
Në janar e mbrapa na kanë munguar tre lojtarët kryesorë, që në gjuhën sportive quhen boshti i skuadrës. Bëhet fjalë për Bojom në qendër të mbrojtjes, që ishte me shumë eksperiencë dhe i rëndësishëm për ne, Hussein në mesfushë, që ruante ekuilibrat para mbrojtjes dhe Da Silvën që ka luajtur shumë pak. Të tre këto mungesa kanë pasur ndikimin e tyre.

Çfarë duhet të bëjë Kastrioti për t’ia dalë ndaj Tomorit?
Përveç Bojomit ne i kemi të gjithë futbollistët, pasi kemi rikuperuar edhe Hussein e Da Silvën. Niveli nuk na mungon, por duhet të bëjmë punë në aspektin psikologjik, pasi duhet ta vlerësojmë Tomorin njësoj si të ishte Teuta. Nuk duhet ta trajtojmë si skuadër inferiore, pasi e kam ndjekur në 2-3 takime dhe më ka pëlqyer shumë. Do ta vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin për ta kaluar edhe këtë pengesë.

Ju frikëson fakti që gjithçka do të vendoset në një ndeshje teke dhe a i trembeni arbitrimit?
Absolutisht që nuk e mendoj se do të ndikojë arbitrimi në këtë takim. Kundërshtarin e njoh dhe ka skuadër simpatike, por ne jemi skuadër e Superiores, kemi nivel dhe duam ta tregojmë këtë. Duam t’u tregojmë të gjithëve se e meritojmë realisht të jemi sërish në Superiore.

E keni menduar t’i bëni një tjetër kërkesë Komisionit të Disiplinës për t’u falur para kësaj ndeshjeje?
Jo, pasi të them të drejtën e bëra një kërkesë dhe ata e refuzuan në të drejtën e tyre. Po marrim në konsideratë të bëjmë pagesën, për ta konvertuar në para javën e fundit të dënimit dhe për të qenë në pankinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat