“Tre luanët” me bilanc negativ ndaj Rumanisë

Futboll

“Tre luanët” me bilanc negativ ndaj Rumanisë

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 11:04
“Tre luanët” me bilanc negativ ndaj Rumanisë

Anglia do të mbyllë fazën përgatitore për kampionatin e ardhshëm evropian në shtëpi ndaj Rumanisë, me dy vendet që kishin plot dy dekada pa u përballur ndërmjet tyre. Në njëfarë mënyre përfaqësuesja e “tre luanëve” do ta presë në shtëpi pan-evropianin që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më datën 11 korrik në 11 vende të ndryshme të Kontinentit të Vjetër, pasi Londra është një nga qytetet e përzgjedhur për të zhvilluar ndeshje nga ky kompeticion, shkruan supersporti.

Natyrisht që impianti i përzgjedhur është padyshim stadiumi mitik i Ëembley-t, që mban deri në 90.000 spektatorë, shkallët e të cilit do të mbushen me vetëm cerekun e kapacitetit, për sfidat në grupe si dhe fazën e 1/8, një numër që gjithsesi pritet të rritet për ndeshjet e fazës gjysmëfinale apo dhe për takimin përmbyllës, pra duelin final të këtij edicioni të 16 të kompeticionit më të rëndësishëm të UEFA-s në rang përfaqësuesesh.

Drejtuesit e Football Association prenotuan ndeshjen me Rumaninë, si takimin e fundit përgatitor përpara se skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate të nisë rrugëtimin në fazën finale të këtij evropiani. Të mërkurën në mbrëmje kombëtarja e “tre luanëve” mposhti minimalisht 1-0 ekipin e Austrisë në Teesside, në Jorkshirin e Veriut, megjithatë skuadra angleze do të mbetet në veri të vendit, sërish në Qytetin e Middlesbrough-t, për takimin miqësor me Rumaninë.

Kjo është vetëm hera e tretë në këtë mijëvjecar që Stadiumi Riverside ka privilegjin për të pritur sfidat e kombëtares angleze, madje rasti i dytë në harkun e vetëm pesë ditëve që banorët e Middlesbrough-t kanë mundësi për të parë nga afër lojtarët më të mirë të ekipit të vendit të tyre. Në ndeshjen me Austrinë trajneri Gareth Southgate u kushtëzua ndjeshëm në zgjedhjet e tij nga finalja e Champions League-s Chelsea – Manchester City dhe në duelin me ekipin e Franco Foda-s 50-vjecari preferoi të lërë pushim që të gjithë futbollistët e grumbulluar nga klubi londinez apo dhe “sky blues”.

Ndeshja me Austrinë u zgjidh pa u mbushur as një orë lojë, nga një gol i vetëm i sulmuesit të Arsenalit Bukayo Saka, që realizoi golin e tij të parë në karrierë me fanellën e përfaqësueses. 19-vjecari i “topçinjve” ndoqi më së miri aksionin dhe shënoi në portën pothuajse të zbrazur, ndërsa më pas ashtu sic edhe pritej vijuan zëvendësimet e shumta dhe trajneri Southgate ndërroi futbollistë si Kane, Lingard, Mings, Rice apo dhe Grealish me futbollistë si Ollie Watkins, Dominic Calvert – Lewin, Ben Godfrey, James Ward – Prowse dhe Ben White.

I vetmi nga lojtarët që hynë në fushë si zëvendësues që është grumbulluar nga Southgate për në evropianin e ardhshëm është sulmuesi i Evertonit Dominic Calvert – Lewin, ndërsa të tjerët janë lënë jashtë listës së federimit me 26 emrat e nevojshëm. Menjëherë pas golit Southgate tërhoqi sërish skuadrën, për të mbrojtur avantazhin minimal, një sjellje e përsëritur nga trajneri nga Ëatfordi dhe Austria iu afrua disa herë golit të barazimit. Miqtë goditën edhe traversën në minutën e 65-të me anë të Marcel Sabitzer dhe madje meritonin për të mos ta humbur takimin, për nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, sidoqoftë portieri Jordan Pickford ia doli mbanë për ta ruajtur të paprekur rrjetën e tij dhe Anglia siguroi fitoren e shtatë radhazi në një ndeshje miqësore, një ecuri që për herë të fundit ishte regjistruar 35 vjet më parë, nga qershori i 1985 deri në majin e vitit 1986, kur kombëtarja e “tre luanëve” drejtohej nga trajneri i mirënjohur Bobby Robson.

Në fundin e takimit me Austrinë pati probleme fizike edhe mbrojtësi Trent Alexander – Arnold, që një ditë më vonë u shtrëngua për të lënë ekipin përfaqësues, duke humbur kështu evropianin për arsye të një dëmtimi. Gareth Southgate ka me probleme gjithashtu edhe lojtarë të tjerë si: Harry Maguire, Marcus Rashford, Kalvin Phillips apo dhe Jordan Henderson, që mbeten në dyshim. 50-vjecari befasoi jo pak teksa shkurtoi listën paraprake me 33 futbollistë, duke lënë në listën e shkurtuar plot katër mbrojtësa të djathtë dhe vetëm pesë mesfushorë gjithsej, sidoqoftë me dëmtimin e futbollistit të Liverpulit tani mbeten vetëm tre mbrojtësa të tillë: Reece James, Kieran Trippier dhe Kyle Ëalker.

Tekniku nga Watfordi është justifikuar me faktin se Anglia ka disa lojtarë që mund të luajnë në pozicione të ndryshme të fushës, por trajneri Southgate ka lënë të hapur gjithashtu edhe mundësinë që “tre luanët” të rreshtohen me tre mbrojtësa në miqësoren me Rumaninë. Anglia bën pjesë në Grupin D, ku do të masë forcat në Wembley me Kroacinë, Skocinë dhe Republikën Ceke, gjithsesi është e qartë që nëse fitojnë grupin rruga e tyre në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë do të kalojë patjetër nga kundërshtarë tepër të fortë si Franca, Portugalia apo dhe Gjermania, që janë shortuar që të gjithë në Grupin F.

Anglia mban vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s, ndërsa Rumania pozionohet në vendin e 43 në këtë lloj renditje. Humbja me Gjeorgjinë është e treta radhazi për kombëtaren ballkanase dhe vlen të theksohet fakti se nga 11 vendet organizatore vetëm Rumania dhe Azerbajxhani nuk ia kanë dalë mbanë për të siguruar pjesëmarrjen në evropianin e sivjetshëm. Në krahun tjetër duke patur parasysh përfshirjen e kontigjentit të futbollistëve të Chelsea-t dhe Manchester City-t Anglia ka një rast të mirë për t’i bërë 6 fitore rresht për herë të parë që nga periudha 2014-2015.

“Tre luanët” kanë bilanc negativ me Rumaninë: 2 fitore dhe 3 humbje në 11 ndeshjet e luajtura, madje “trikolorët” kanë fituar pikërisht dy përballjet e fundit, 3-2 në Charleroi në evropianin belgo – holandez të vitit 2000 si dhe 2-1 në Toulouse, në botërorin francez të vitit 1998. Takimi Angli – Rumani do të luhet në orën 18:00 dhe po në të njëjtën orë Holanda do të presë në Enschede skuadrën e Gjeorgjisë, në duelin e parë në histori ndërmjet këtyre dy vendeve, ndërsa në mbrëmje në orën 20:45 Belgjika që kryeson renditjen botërore do të sfidojë Kroacinë në Bruksel, në një ndeshje interesante që përball dy skuadra përfaqësuese që u paraqitën vërtet shumë mirë në botërorin e fundit, që u zhvillua në Rusi tre vjet më parë.

 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat