Florian Loshaj “truri dhe fuqia” e lojës së Kosovës në dy miqësoret me afrikanët

Futboll

Florian Loshaj “truri dhe fuqia” e lojës së Kosovës në dy miqësoret me afrikanët

Nga: F.Beka Më: 12 qershor 2021 Në ora: 00:12
Florian Loshaj

Një fitore dhe një humbje (mbase e pamerituar) është bilanci i përfaqësueses së Kosovës në ndeshjet miqësore të zhvilluara në Anatali, loja e skuadrës sonë vetëm në momente ishte ashtu siç kemi pritur ofensive, me aksione të rrjedhshme dhe e frytshme, mungoi efikasiteti, por mendoi se Kosova fitoi fal dëshmimit në fushën e blertë 3-4 futbollistë në të cilët mund të llogaritet edhe mbështetet në të ardhmen.

Këtu në radhë të parë , u shqua kapiteni i Kosovës në ndeshjen me Gambinë mesfushori Florian Loshaj, që ishte “truri dhe makina e pandalshme” e Kosovës, duke thyer aksione të rivalit dhe duke ndërtuar aksione për skuadrën tonë, provoi dhe dëshmoi se ka kualitetin, forcën dhe intuitën për aksione, pasime dhe përbën veçanërisht rrezik nga ndërprerjet dhe goditjet shumë potente.

Krahas Loshajt që vrapoi shumë, pasoi dhe krijoj aksione e mundësi dhe i cili ka pasur paraqitje të mira edhe në ndeshjet tjera të zhvilluara si “dardan”, loja e Domxhonit dhe Bajselmanit të cilët ishin prurje të reja tek Kosova, janë për admirim dhe lanë përshtypje se munden lehtë edhe shpejtë të bëhen pjesë e “skeletit” të skuadrës, që do sjellin qetësi, siguri dhe potencë në skuadrën tonë përfaqësuese.

Nëse për asgjë tjetër nuk duhet mbajtur mend humbjen e pamerituar nga Gueineja (1:2) dhe fitoren me meritë, që duhet të ishte më e thellë dhe më bindëse ndaj Gambisë , nga këndi i ish-futbollistit dhe gazetarit sportiv mendoj se Challandes dhe opinioni sportiv pajtohen me mua, se prurjet e reja dhe Florian Loshaj, padyshim kanë lënë përshtypje me paraqitjet e tyre profesioniste, duke dhënë shpresë se me rritjen e konkurrencës, do ketë rritje të cilësisë dhe profesionalizmit , që janë parakushte edhe të rezultateve edhe sukseseve, për të cilat jemi aq të etur.

Paraqitje të mira, kanë pasur edhe dy portierët tanë që patën rastin të jenë “gardian” dardan në ndeshjet miqësore ndaj kombëtareve afrikane Bekaj edhe Halimi, të cilët dëshmuan se janë “pjekur” dhe janë të gatshëm për të qenë në nivelin e detyrës edhe në ndeshjet e mëdha të skuadrës sonë përfaqësuese.

Ndërkohë të ftuarit tjerë nga Superliga e Kosovës dhe ligat tjera evropiane, kanë lënë përshtypje të potencialit që kanë, por të cilët vështirë të analizohen në ndeshjet, ku ka shumë prurje edhe ku ka pak minuta të zhvilluara, sidoqoftë Manaj jo vetëm për shënimin por edhe formën që kishte, Topalli me agjilitetin dhe eksplozivitetin dhe Hoxhaj me golin e fitores janë sinjal se mund të bëhet “plotësim” i përfaqësueses me emra të rinj.

Si përfundim, organizimi i katër ndeshjeve miqësore dhe ofrimi i rastit për shumë prurje të reja, gjë që bëri Challandes dhe shtabi teknik është punë që duhet vlerësuar, natyrisht miqësoret janë shpesh testime dhe mundësi për kombinime dhe kompozim të lojë taktike, varësisht nga nevoja dhe kundërshtarët me të cilët do kemi punë në kualifikimet për Katar apo ndeshjet në Ligën e Kombeve e kualifikimet për evropianin e ardhshëm, ndërsa emrat e futbollistëve që veshën fanellën dardane janë premtues edhe shpresëdhënës.

Loshaj, Domxhoni , Bajselmani dhe portierët Bekaj edhe Halimi kanë potencialin dhe këtë e dëshmuan në fushë, andaj mendoj se krahas vlerësimit me notë të lartë të 3 fitoreve edhe humbjes, Kosova ka fituar disa emra të rinj, që duhet të jenë pjesë e përfaqësueses, jo vetëm si rritje konkurrence, po si shtyllë e fortë për rritjen e cilësisë, kualitetit të lojës, angazhimit dhe mbrojtjes së dinjitetshme të ngjyrave “dardane”, por edhe për rezultate e suksese në të ardhmen.

“Ishte një organizim i mirë dhe një performancë e mirë nga lojtarët tanë. Jam shumë i lumtur edhe për mentalitetin dhe agresivitetin e shfaqur në fushë, është një skuadër speciale që e kemi ndërtuar për vetëm 3 ditë. Djemtë ishin të koncentruar, ishin të gatshëm për të punuar dhe për të përparuar së bashku, prandaj jam vërtetë i kënaqur me këtë ekip”, theksoi pas ndeshjes Challandes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat