Ramsey: Shpesh skuadra funksiononte në një mënyrë të caktuar

Futboll

Ramsey: Shpesh skuadra funksiononte në një mënyrë të caktuar

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 14:30
Ramsey: Shpesh skuadra funksiononte në një mënyrë të caktuar

Dy vite më parë Aron Ramsey u transferua me bujë te Juventusi, megjithatë tani duket se fantazisti uellsian është penduar për zgjedhjen që ka bërë dhe ka vendosur të largohet nga klubi bardhezi.

Nga grumbullimi me kombëtaren e Uellsit, e cila garon në Euro 2020, Ramsey deklaroi se ka përjetuar dy vite shumë frustruese në Torino dhe se është përballur me situata të panjohura me të më përpara.

“Dy vitet e fundit te Juventusi kanë qenë frustruese, jo vetëm në aspektin fizik. Ka pasur shumë ndryshime me të cilat nuk isha mësuar dhe mund të them se vetëm këtu te Uellsi gjej veten time. Shpesh skuadra funksiononte në një mënyrë të caktuar, edhe pse ne futbollistët ishim mësuar të bëjmë diçka ndryshe”, u shpreh mesfushori uellsian.

Verën e 2019-ës Ramsey u transferua me parametra zero në Torino, por vazhdimisht ka pasur probleme fizike që e kanë lënë shpesh jashtë skuadrës dhe për më tepër, si me Sarrin, ashtu edhe me Pirlon, nuk arriti të shndërrohej në titullar.

Gjatë merkatos së verës fantazisti uellsian pritet të largohet nga Italia, për t’u rikthyer sërish në Premier League, aty ku spikati me Arsenalin, pasi edhe klubi i Juventusit dëshiron të lirohet nga paga e tij e lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat