Romero: Atje ma nxinë jetën, 17 vjeç desha ta lija futbollin

Futboll

Romero: Atje ma nxinë jetën, 17 vjeç desha ta lija futbollin

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 15:40
Cristian Romero

Së fundi është emëruar mbrojtësi më i mirë i Serie A për sezonin 2020-2021 dhe, si një çmim i mëtejshëm, është thirrur nga trajneri Scaloni për të marrë pjesë në “Copa America” me fanellën e Argjentinës. Muaj ëndrrash për Cristian Romero, pika e fortë e Atalantës. Ai foli për përvojën shumë të shkurtër në Torino, në intervistën dhënë “Sportweek”, duke shpjeguar se si nevoja për të luajtur si titullar luajti një rol themelor në vendimin për t’u larguar nga Juventusi:

“Kur ata më lanë te Genoa e dija se nuk isha gati të luaja me Juventusin. Duhej të grumbulloja më shumë përvojë, të luaja ndeshje të tjera në Serie A. Verën e kaluar, Juve ndryshoi trajnerin dhe kuptova se do të ishte e vështirë të qëndroja. Po shpresoja, por kishte shumë mbrojtës qendrorë, lojtarë me emër të madh: Bonucci, Chiellini, De Ligt… Telefonova agjentin tim dhe i thashë pak a shumë: Nuk ka asnjë vend për mua këtu, të kërkojmë një opsion diku tjetër. Nuk dua të rri në stol dhe të humbas një vit. Nuk kam nevojë të luaj pesë ose gjashtë ndeshje në sezon. Jam i ri, që të rritem më duhet të luaj. Juve është Juve, por nuk dua të qëndroj në stol”.

Në vitin e parë me Gasperini, Romero mësoi shumë: përmirësime të qarta edhe nga pikëpamja disiplinore me numrin e kartonëve të verdhë, që ka rënë ndjeshëm: “Genoa gjithmonë do t’i them faleminderit, sepse më solli në Itali dhe më dha besim, por atje ndryshova gjashtë trajnerë në dy vite. Kështu bëhet e vështirë që të rritesh. Gasperini, nëse e dëgjon dhe stërvitesh mirë, të ndjek hap pas hapi. Ai të përmirëson në çdo aspekt. Para se ta takoja isha taktikisht një katastrofë, nuk kuptoja asgjë. Sot ndihem më i pjekur, më i sigurt, aq shumë sa në fushë i lejoj vetes disa këshilla për shokët e mi të skuadrës”.

Në një moment të jetës së tij, Romero ishte vërtet afër të thoshte mjaft me futboll. Faji i një kontrate, që nuk u rinovua me Belgrano, ish-klubin e tij. Zbarkimi në Itali më pas i ndryshoi jetën: “Kur isha 17 vjeç, kisha vendosur të largohesha nga futbolli. Në Belgrano për një vit e gjysmë nuk kisha luajtur fare, vetëm stërvitesha. Çdo trajneri që vinte, drejtori sportiv i thoshte të mos më linte të luaja, sepse nuk kisha dashur të zgjasja kontratën, që do të skadonte 18 muaj më pas. Nga ai moment ata kishin filluar të silleshin keq me mua. Bëra xhiron e fushës anash, nuk më thirrën më.

Kurrë nuk kam menduar të largohem si transferim falas, pa fituar asnjë qindarkë klubi që më rriti. Për fat të mirë, gjashtë muaj pas skadimit të kontratës, Belgrano më në fund i tha ‘po’ ofertës së Genoa, e cila më kishte kërkuar dy ose tri herë. Më kujtohen fjalët e menaxherëve, kur më lanë të largohem: Për tre muaj, mos u kthe këtu për të kërkuar punë, sepse nuk ka më vend për ty. Kanë kaluar tri vite, jo tre muaj që kur mbërrita në Itali. Kam luajtur në Ligën e Kampionëve, jam në një ekip të fortë si Atalanta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat