Agim Ademi: Bota e futbollit dhe jo vetëm u shokua mbrëmë nga pamjet

Futboll

Agim Ademi: Bota e futbollit dhe jo vetëm u shokua mbrëmë nga pamjet

Nga: K.G. Më: 13 qershor 2021 Në ora: 13:16
Eriksen

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se mbrëmë e gjithë bota u shokua me rastin e futbollistit Christian Eriksen.

“Bota e futbollit dhe jo vetëm u shokua mbrëmë nga pamjet në ndeshjen Danimarkë-Finlandë, kur Christian Eriksen u rrëzua pa ndjenja në fushë.

Ai moment kritik për jetën e tij bëri që ankthi të na pushtojë të gjithëve, por njëherësh edhe na bashkojë në lutjet tona drejtuar Perëndisë për ta tejkaluar atë gjendje. Fatmirësisht reagimi i stafit mjekësor, forca e tij për të luftuar për jetën dhe lutjet nga të katër anët e globit bën që Eriksen ta fitojë këtë betejë.

Tashmë kur vijnë lajme të mira nga stafi mjekësor që është nën përkujdesjen e Eriksenit, ne të gjithë ndihemi më të qetë dhe qëndrojmë në solidaritet të plotë me lojtarin, me shpresë dhe besim se së shpejti do t’i kthehet familjes së tij dhe futbollit edhe më i fortë.

Në emër të KE të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë uroj që Eriksen sa më parë t’i kthehet normalitetit dhe pasionit të tij – futbollit, për ta ndihmuar kombëtaren e Danimarkës dhe klubin e tij në arritjen e objektivave.

Lutjet dhe mendimet tona janë me ty Eriksen!

Të presim edhe më të fortë!”, shkruan Ademi në profilin e tij në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat