Përgjegjësia mbi të

Futboll

Përgjegjësia mbi të

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 22:39
Përgjegjësia mbi të

Tani i takon atij që të udhëheqë. Pa gardën e vjetër të vitit 2010 dhe pa yjet që kishte Holanda në sulm për shumë vite. Sigurisht, ka mbetur Stekelenburg në portë, por kapiteni është ai, Xheroxhinjo Vajnaldum, ai që iu bashkua kombëtares kur ishte 20 vjeç, por që nuk mundi të përjetonte ecurinë e jashtëzakonshme të skuadrës në Afrikën e Jugut.

Por, tani është aty dhe po tregon se është lideri. Me origjinë nga Surinami, ashtu si dhe shumë ish-futbollistë të shquar të “Tulipanëve”, është formuar si lojtar te Sparta e Roterdamit. Është lojtari më i ri që ka debutuar me skuadrën e Fejnordit, për të nisur më pas një ecuri me dritëhije, me shpresa dhe me zhgënjime. Sepse për shumë vite, Vajnaldum ka qenë lojtari klasik holandez: shumë cilësi, por i papjekur dhe i pakompletuar.

Ndoshta sepse reflektorët u drejtuan shumë shpejt tek ai dhe iu desh të rritej nën hijen e disa futbollistëve të mëdhenj. Tani, është i lirë që të shkëlqejë në një kombëtare që ka nevojë dëshpëruese të ringrihet në majat më të larta. Ia kërkojnë tifozët, ia kërkon historia e vendit të tij, ia kërkojnë kritikët e shumtë që nuk i ndahen asnjë ditë… Erdhi momenti pra që ish-ylli i Liverpulit të mbajë skuadrën kombëtare mbi shpatulla.

Përgjegjësia mbi të është ndoshta më e madhe edhe se mbi Depajin, që kundër Ukrainës e nisi duke shkëlqyer dhe e përfundoi duke dribluar edhe veten e tij. Vajnaldum tani është bërë më konkret. Madje, edhe në negociata është bërë më i zoti. Kështu thonë… Sepse nga 1 korriku ai do të jetë lojtari më i ri i Paris SG. Dukej i destinuar për te Barcelona, por bisedimet nuk shkuan ashtu siç shumë vetë e kishin parashikuar.

Trajneri i katalanasve, Ronald Kuman, provoi gjithçka që ta merrte që në janar dhe gjërat duket se u finalizuan, por pikërisht në prag të “Euro 2020”, kur ishte gati që të debutonte me shiritin e kapitenit, Xheorxhinjo i vendosi gjithçka: “Mendoja edhe unë se do të shkoja te Barça, por te PSG u treguan më të zgjuar dhe besuan tek unë”. Tani janë tifozët “portokalli” ata që po i japin një shtysë të madhe që të udhëheqë skuadrën. Holanda priti shtatë vite për t’u rikthyer që të duartrokasë. Praktikisht, një përjetësi..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat