Objetivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale

Futboll

Objetivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 11:04
Objetivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale

Partizani i sezonit të ri do të jetë një skuadër ndryshe nga ajo e edicionit që sapo është mbyllur. Nga të kuqtë janë larguar elemente shumë të rëndësishëm si Jasir Asani, Erald Çinari e Eneo Bitri ndërsa në pikëpyetje janë edhe emra të tjerë me peshë si Rron Broja, Jurgen Bardhi, Esat Mala e Egzon Belica .

Afrimi i vetëm deri tani për të kuqtë është ai i anësorit Emiliano Musta, i cili në orët e ardhshme pritet t’i bashkohet skuadrës në Ohër të Maqedonisë, aty ku Partizani po stërvite në kushte optimale për t’u përgatitur sa më mirë për pjesëmarrjen në Conference League teksa shorti i turit të parë e vuri përballë moldavëve Sfintul Gheorghe. Nga Ohri trajneri Ilir Daja foli për ecurinë e deritanishme të përgatitjeve, duke prekur edhe temën e nxehtë të merkatos.

“Kemi bërë një javë stërvitje në Tiranë dhe dje kemi udhëtuar drejt Ohrit, në kushte optimale, qoftë sa i përket akomodimit të ekipit, apo edhe klimës. Stërvitemi në kushte optimale. Presim të plotësohemi aty ku kemi nevojë, sepse disa lojtarë janë larguar. Jemi në bisedime me disa futbollistë për të plotësuar hapësira, në mënyrë që përgatitja për ndeshjen e parë në transfertë në Moldavi, të na gjejë sa më mirë që të jetë e mundur”.

Më pas trajneri i Partizanit analizoi kundërshtarin, duke nënvizuar se Sfintul George duhet vlerësuar maksimalisht.

“E para është plotësimi i ekipit me lojtarët e duhur për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz. Kemi marrë vesh kundërshtarin dhe ndeshjen e parë e kemi në transfertë.Është një kundërshtar që vitin e kaluar ka kaluar një tur në Kupat e Europës, ndërsa është eliminuar në kohën shtesë me Partizanin e Beogradit. Kanë qenë përballje me 1 takim. Nuk është një ekip i lehtë, pavarësisht se koeficientin e ka të ulët. Është formuar në vitin 2003, pra ka pak vite në traditën e futbollit moldav. Prezantimi që ka bërë vjet, ka qenë pozitiv”.

Partizani nuk ka ndërmend të ndërtojë dy skuadra paralele për Europën dhe kampionatin dhe Daja është i bindur për këtë.

“Ne nuk do ndajmë pjesën e Europës me formatimin për edicionin e ardhshëm. Kjo është më emergjente, pasi ndeshja zhvillohet më datën 8 korrik. Afërsisht edhe 4 javë.Lojtarët që do të përfaqësojnë Partizanin në Ligën e Konferencës, do të jenë pjesa më e madhe që do të përfaqësojnë Partizanin në edicionin tjetër. Mbas eliminatoreve do të kemi më shumë hapësira për të plotësuar grupin e Partizanit.

Objetivat e Partizanit janë gjithmonë maksimale”, përfundoi Ilir Daja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat