Makthi i rrjetës së gabuar; autogoli i Hummels barazon rekordin e një Europiani

Futboll

Makthi i rrjetës së gabuar; autogoli i Hummels barazon rekordin e një Europiani

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 11:25
Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Mats Hummels

Qendërmbrojtësi i Gjermanisë, Mats Hummels, u bë lojtari i tretë që shkakton autogol në “Euro 2020”, kur e dërgoi topin në rrjetë të gabuar, në pjesën e parë të humbjes 1-0 ndaj Francës, të martën, duke barazuar rekordin e një Kampionati Europian të tërë në këtë aspekt. Wojciech Szczesny i Polonisë dhe Merih Demiral i Turqisë kishin shënuar tashmë në portën e tyre, në fazën e grupeve.

“Euro 2016”, gjithashtu pati tre autogolë, por kompeticioni i këtij viti tani ka luajtur vetëm 12 ndeshje, ka edhe mjaft të tjera. Autogoli i të martës ishte i pari nga Gjermania në një turne të madh që nga viti 1978, kur Berti Vogts gaboi në Kupën e Botës kundër Austrisë. Për Hummels, ishte autogoli i dytë me fanellën e ekipit kombëtar. Ai, gjithashtu e dërgoi topin në rrjetën e Manuel Neuer më 2015, në kualifikueset e Kampionatit Europian kundër Skocisë.

“Asnjë faj për Mats tek autogoli, – tha trajneri i Gjermanisë, Joachim Low për ZDF, pas ndeshjes. – Ishte e vështirë për të që ta spastronte atë top. Ishte një ndeshje e ashpër. Ne luftuam deri në fund. Nuk mund ta fajësoj ekipin, dhamë gjithçka që kishim. Ajo që na mungoi ishte forca depërtuese në një të tretën e fundit të fushës. Nuk bëmë aq sa duhet aty”.

Mesfushori Toni Kroos i tha ARD: “Ne bëmë shumë nga ato që donim të bënim. Patëm shanse për të shënuar, jo më pak se francezët. Një autogol i pafat vendosi ndeshjen”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat