Belgjika kërkon fitoren e radhës

Futboll

Belgjika kërkon fitoren e radhës

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 11:15
Danimarika

Pas triumfit në takimin hapës ndaj Rusisë përfaqësuesja e Belgjikës do të synojë fitoren ndaj kombëtares së Danimarkës, për të garantuar kualifikimin për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë.

Deri tani gjithçka po shkon sipas skenarit të përgatitur nga trajneri Roberto Martinez dhe ekipi që kryeson prej kohësh renditjen botërore të FIFA-s hodhi një hap të sigurtë drejt raundit tjetër, që pas fitores së thellë ndaj skuadrës së Stanislav Chercheso, shkruan supersporti.

Në Gazprom Arena ishte shumë e rëndësishme marrja e 3 pikëve, megjithatë “djajtë e kuq” shkuan përtej parashikimeve të para, duke realizuar gjithashtu edhe golat e nevojshëm, që natyrisht ndihmojnë shumë për rritjen e skuadrës në aspektin psikologjik. Një rezultat i tillë, sidomos pa dy mesfushorë shumë të rëndësishëm si Kevin De Bruyne dhe Axel Witsel bën të mundur që “Les Diables Rouges” ta nisin qetë aventurën e tyre në këtë edicion të 16 të kampionatit evropian, duke projektuar në mënyrën më të mirë të mundshme edhe rrugëtimin e tyre të mëtejshëm në këtë kompeticion. Pavarësisht se u luajt në Saint Petersburg Belgjika i hoqi cdo iluzion ekipit rus, duke realizuar dy herë madje që në fraksionin hapës të takimit. Skuadra e drejtuar nga 47-vjecari nga Provinca e Lleida-s iu lejoi vendasve thjesht një gjuajtje të vetme në kuadrat, ndërkohë pati lavdi gjithashtu edhe për qendërsulmuesin Romelu Lukaku, që la gjurmë në këtë ndeshje duke shënuar dy herë që në sfidën hapëse.

Në këtë mënyrë “Big Rom” vuri shpejt kandidaturën për të fituar “Këpucën e Artë” të këtij evropiani dhe pas ndeshjeve të para Romelu Lukaku, Patrik Schick dhe Cristiano Ronaldo kryesojnë listën e golashënuesve me nga dy gola.

Gjiganti me origjinë nga Kongo e mbylli botërorin e fundit në vendin e dytë, me dy gola më pak se sulmuesi i përfaqësueses angleze Harry Kane, gjithsesi numri 9 konsiderohet si një ndër favoritët kryesorë për të triumfuar në këtë konkurrim të vecantë, duke pasur parasysh forcën e “djajve të kuq”, si dhe ambiciet e mëdha që ushqen Belgjika në këtë evropian. Belgjika ka preferuar të grumbullohet në atdhe, në Qytetin e Tubize-s dhe trajneri Roberto Martinez po bën cmos për të rikthyer gjithashtu edhe një lojtar si Eden Hazard, që nuk ka kaluar një sezon të mirë. Që pas transferimit nga Chelsea te Reali i Madridit 30-vjecari është një hije e shëmtuar e futbollistit që bëri për vete gjithë Kontinentin e Vjetër, për shkak edhe të dëmtimeve të shpeshta te los blancos.

Eden Hazard është kapiteni i vërtetë i kësaj përfaqësuese dhe trajneri katalanas në fakt i dha 20’ në fundin e takimit me Rusinë, futbollistit anësor, në vendin e veteranit Dries Mertens. Me shumë gjasa ky është evropiani i fundit për shumë lojtarë të Belgjikës, sidomos në repartin e mbrojtjes, duke llogaritur moshën e madhe që ka një pjesë e mirë e kontigjentit të futbollistëve të përzgjedhur nga trajneri Roberto Martinez.

Jan Vertonghen që mbajti shiritin në takimin hapës është 34 vjec, Toby Alderëeireld 32 ndërsa Thomas Vermaelen është 35 vjecar. Natyrisht Danimarka do të ketë favorin e faktorit fushë, por gjithsesi “djajtë e kuq” janë përgatitur për të shkuar shumë larg në këtë aktivitet. Tre vjet më parë në botërorin rus Belgjika u ndal në fazën gjysmëfinale, teksa u mund nga Franca, ndërsa në vazhdim “ekipi i Roberto Martinezit e mbylli aventurën në shkallën më të ulët të podiumit, teksa mposht në finalen e vogël Anglinë. Belgjika synon minimalisht që të barazojë ecurinë më të mirë në histori, pra atë të vitit 1980 kur u mund në finalen e Romës me shifrat 2-1 nga Republika Federale Gjermane.

“Djajtë e kuq” krenohen gjithashtu edhe me vendin e tretë në evropianin që pritën vetë në vitin 1972, ndërkaq sic dihet Danimarka në krahun tjetër ka qenë më e suksesshme në këtë aspekt, duke triumfuar në Suedi nën drejtimin e trajnerit Richard Moller Nielsen, në një kampionat ku hynë në fazën finale pas skualifikimit të Ish-Jugosllavisë. Privilegjin për të pritur ndeshjet pritej ta kishte Brukseli, por stadiumi i ri i kryeqytetit belg mbeti prapa me punimet për arsye të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit dhe kështu në këtë grup përfitoi Danimarka, që ka favorin për t’i luajtur tre ndeshjet e fazës hapëse pikërisht në shtëpi.

Në Kopenhagen në takimin e parë me Finlandën bardhekuqtë dominuan ndeshjen nga fillimi në fund, megjithatë për habinë e të gjithëve atë sfidë e fitoi Finlanda me të vetmen tentativë drejt portës së mbrojtur nga Kasper Schmeicel. Në Parken ndeshja u influencua ndjeshëm nga episodi i rëndë që u regjistrua në fundin e pjesës së parë, kur Christian Eriksen u plandos përdhe, pa frymë. Momentet e panikut zgjatën vërtet shumë, megjithatë për fat doktorët mbajtën në jetë mesfushorin e mirënjohur danez dhe në vazhdim me aprovimin edhe vetë futbollistët dy skuadrat vendosën që të zbrisnin sërish në fushë, po atë mbrëmje, për të luajtur gjithashtu edhe minutata e mbetura.

Goli i sulmuesit të Unionit të Berlinit Pohjanpalo mbeti pa përgjigje, pasi mesfushori i Tottenham-it Hojbjerg shpërdoroi nga pika e bardhë e 11-metrave mundësinë për të barazuar të paktën rezultatin. Tani Danimarka është e shtrënguar për të marrë rezultat patjetër në duelin me Belgjikën, përndryshe sfida e fundit me Rusinë mund të ketë thjesht vlera statistikore.

Në Grupin B Rusia i ka ndërlikuar ndjeshëm llogaritë, pas fitores minimale me Finlandën dhe tani Belgjika, Rusia e Finlanda kryesojnë në kuotën e 3 pikëve, ndërsa Danimarka mbyll grupin me 0 pikë. Danimarka mbyll dhjetëshen e parë të botës, megjithatë bilanci ndërmjet këtyre dy përfaqësueseve është krejtësisht i barabartë me nga 6 fitore, në 15 sfidat që kanë zhvilluar gjithsej. Takimi do të luhet në Parken të Kopenhagenit në orën 18:00 dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Bjorn Kuipers, gjithsesi “djajtë e kuq” kanë fituar dy përballjet e fundit vitin e kaluar, që të dyja në Ligën e Kombeve me shifrat 2-0 dhe 4-2.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat