Tottenham u përqendrua në negociatat me portugezin

Futboll

Tottenham u përqendrua në negociatat me portugezin

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 15:58
Tottenham u përqendrua në negociatat me portugezin

Pasi dështoi të sjellë në Londër Antonio Conten, Tottenham u përqendrua në negociatat me portugezin Paulo Fonseca, të cilin e kishte kontaktuar që në muajin prill dhe palët madje arritën edhe një akord paraprak.

Drejtori sportiv i sapoemëruar i “spurs”-ave, Fabio Paratici kishte gjetur gjuhën e përbashkët me menaxherin e Fonsecës dhe madje disa ditë më parë kishte kaluar dy ditë nën shoqërinë e trajnerit portugez në liqenin e Komos, duke diskutuar për gjithçka.

Paratici kishte premtuar qëndrimin te “Spurs” edhe të kapitenit Harry Kane, pavarësisht dëshirës së tij për t’u larguar dhe gjithçka ishte sistemuar, teksa Fonseca kishte aplikuar për vizë britanike, pasi priste datën kur do të bëhej prezantimi zyrtar në ambientet e klubit të Tottenham.

Megjithatë pas dy ditësh në liqenin e Komos, Paratici duket se ka ndryshuar konsideratë për Fonsecën dhe ka telefonuar menjëherë Gattuson, për ta ftuar t’i bashkohet te Tottenham, për t’u ulur në pankinën e londinezëve.

I joshur nga kjo mundësi, trajneri që sapo kishte firmosur me Fiorentinën, kontaktoi menjëherë drejtuesit e klubit vjollcë dhe pas pak ditësh debate me ta, ia doli të prishë kontratën e firmosur vetëm në fund të muajit maj.

Ndonëse u fol për ide të ndryshme në lidhje me merkaton, shkaku i vërtetë i divorcit mes Fiorentinës dhe Gattusos, ka qenë pikërisht kërkesa me ngulm e këtij të fundit, për t’u larguar me destinacion Londrën.

Megjithatë Paratici nuk i kishte bërë llogaritë me tifozët e Tottenhamit, që u organizuan në mënyrë shumë të shpejtë për të kundërshtuar uljen e Gattusos në stol dhe gjithçka dështoi me sukses në më pak se 48 orë.

Tashmë ish drejtuesi i Juventusit ka bërë një hap prapa dhe ka provuar të telefonojë sërish Paulo Fonsecën, por ky i fundit nuk e ka kapërdirë “tradhtinë” që iu bë dhe deri tani ka refuzuar në mënyrë kategorike rinisjen e bisedimeve.

Megjithatë në skenë mund të zbresë vetë presidenti i Tottenhamit, Daniel Levy, që mund të angazhohet personalisht për të bindur Fonsecën, gjithsesi vështirë se portugezi do të mund të punojë më në krah të Paraticit, pas gjithë asaj që ndodhi.

Nga ana tjetër Genaro Gattuso ka mbetur i papunë dhe thellësisht i zhgënjyer për rrjedhën e ngjarjeve, megjithatë ka marrë garanci nga agjenti i tij Jorge Mendes, se shumë shpejt do të ulet në një tjetër pankinë.

Aktualisht ka disa klube në Premier League që nuk e kanë zgjedhur timonierin e ri dhe një ndër to është pikërisht Evertoni, ndaj skuadra nga Liverpooli mund të jetë një mundësi konkrete për Gattuson, që mirëpret një eksperiencë të re në kampionatin anglez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat