Mes tyre futet edhe Armando Broja

Futboll

Mes tyre futet edhe Armando Broja

Më: 20 qershor 2021 Në ora: 17:20
Mes tyre futet edhe Armando Broja

Lucas Nmecha ishte “arkitekti” kryesor në rikthimin e Anderlehtit gjatë sezonit që lamë pas. Sulmuesi gjerman 22-vjeçar ka realizuar 18 gola dhe ka dhënë 3 asist në 36 ndeshjet e zhvilluara.

Por ky lojtar ishte huazim i mbërritur nga Manchester City dhe pa mundësinë e të drejtës së blerjes. Pra një “makineri golash” që i ikën nga duart, ndërsa te Anderlehti nuk kanë shumë kohë për të “qarë” largimin e pritur, tani duhet të gjejnë zgjidhjen. Cili sulmues i ri i garanton të njëjtin sukses belgëve?

Media e njohur “Voetbalprimeur” ka mbërritur në përfundimin se janë 4 emra futbollistësh që mund të merren me pak para, por që kanë cilësi të jashtëzakonshme për të bërë diferencën.

Mes tyre futet edhe Armando Broja, ku mund të gjejmë këtë përshkrim: “Sulmuesi shqiptar i Chelsea, i cili u huazua te Vitesse sezonin e kaluar, gjithashtu ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm në Hollandë. 30 ndeshje, 10 gola dhe 2 asistime. Statistikë shumë e mirë për një sulmues 19-vjeçar me këmbë të djathtë në nivelin më të lartë në Hollandë.

Broja është një sulmues i fortë fizikisht (me përmasa 191cm) i cili është shumë i fortë në zonën e kundërshtarit”, shkruhet në median belge duke sponsorizuar futbollistin e Kombëtares te Anderlehti.

Megjithatë për të mbërritur deri në këtë pikë duhet të presim ende pasi Armando Broja do të provohet nga trajneri Tuchel te Chelsea gjatë ndeshjeve para përgatitore për sezonin e ardhshëm..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat