Ndryshohet orari i ndeshjes së Dritës

Futboll

Ndryshohet orari i ndeshjes së Dritës

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 18:04
Ndryshohet orari i ndeshjes së Dritës

Drita tash e disa ditë po qëndron në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku është duke u përgatitur për ndeshjen ndërkombëtare që do ta zhvillojë me skuadrën shqiptare nga Tuzi, Deçiçi.

Drita e Deçiçi do të ndeshen ndërmjet vete në kuadër të rrethit të parë të Conference League që luhet me 8 e 15 korrik, shkruan Demokracia. Të kujtojmë se në të njëjtin garë është edhe skuadra tjetër nga Kosova, Llapi e cila do të ballafaqohet me një tjetër skuadër shqiptare, FC Shkupin nga Maqedonia e Veriut. Edhe kjo ndeshje do të zhvillohet në të njëjtin orar.

Sipas shortit si Drita si Llapi ndeshjet e para duhej t’i luanin si mysafirë ndërsa ato të kthimit si vendas. Meqenëse Kosova ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret ndërkombëtare, stadiumin “Fadil Vokrri”, UEFA ka vendosur të ndryshojë orarin.

Drita ndeshjen e parë me Deçiçin do ta zhvillojë si vendas dhe atë të kthimit si mysafirë, derisa orari i ndeshjeve të Llapit nuk ndryshon.

Lajmin për ndryshimin e orarit për Demokracia.com e ka konfirmuar  drejtori sportiv i FC Drita, Valon Zymberi.

“Edhe pse shorti e ka përcaktuar që në ndeshjen e parë me qenë mysafirë, por për shkak se edhe ne edhe Llapi e kemi të njëjtin stadium, neve (Dritës) na është ndryshuar orari. Pra ndeshjen e parë do ta luajmë si vendas. Ndryshimin e ka bërë UEFA”, ka thënë për Demokracia.com, Zymberi.

Të kujtojmë se ditë më parë qeveria e vendit ka vendosur që në mënyrë të kufizuar t’i hap stadiumet për tifozë me numër të kufizuar dhe takimi Drita – Deçiçi, që luhet me 8 korrik pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë në stadiumin “Fadil Vokrri” tamam ashtu siç dinë ta bëjnë “Intelektualët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat