Inter kërkon blerës për tre futbollistë

Futboll

Inter kërkon blerës për tre futbollistë

Më: 25 qershor 2021 Në ora: 11:22
Inter kërkon blerës për tre futbollistë

Ivan Perishiç, Arturo Vidal dhe Radja Nainggolan janë tre futbollistë që nuk kanë më vend te Interi dhe zikaltrit do të provojnë t’i sheshin gjatë merkatos së verës, për t’u liruar nga pagat e tyre të majme.

Anësori kroat po bën një paraqitje mjaft të mirë në Euro 2020 dhe zikaltrit “fërkojnë duart” pasi shpresojnë që t’u vijnë oferta për të, duke qenë se disa klube gjermane kanë shfaqur interes paraprak.

Te Interi janë gati të pranojnë një ofertë prej 8-10 milionë eurosh për kartonin e kroatit, që gjithashtu përfiton një pagë prej 4.5 milionë eurosh neto në sezon dhe peshon jo pak në arkat e klubit zikaltër.

Diskutim i njëjtë edhe për Arturo Vidal, që përfiton 6 milionë euro neto, ose rreth 9 milionë euro bruto dhe ka edhe një vit kontratë me zikaltrit, por duke qenë se sezonin e kaluar luajti shumë pak, drejtuesit e Interit janë gati ta lënë të lirë, vetëm për të kursyer pagën e tij vjetore.

Klube në Amerikën Latine dhe në tjera në Turqi e Gjermani kanë shfaqur interes për Vidal, por deri tani asnjë nuk është treguar i gatshëm të marrë përsipër pagën mjaft të lartë të kilenit, megjithatë në ditët e fundit të merkatos, vetë mesfushori mund të pranojë një ulje të rrogës, për të luajtur rregullisht.

Ndërkohë Nainggolan dëshiron të transferohet përfundimisht te Cagliari, por pa sakrifikuar pagën që përfiton te Interi dhe nga ana tjetër edhe zikaltrit dëshirojnë të arkëtojnë të paktën 7 milionë euro nga kartoni i tij, shifër që sardët nuk janë gati ta paguajnë.

Negociatat mes palëve vijojnë dhe pritet që në operacion për transferimin e tij të përfshihen edhe futbollistë të rinj të talentuar nga të dy skuadrat, por e sigurt është që edhe për belgun nuk ka më vend në organikën e milanezëve.

Me largimin e këtyre 3 futbollistëve, Interi do të mund të kursejë më tepër se 20 milionë euro, me të cilat do të ketë mundësi të rritë rinovojë me paga më të mira me futbollistë si Barella, Brozoviç, De Vrij e Lautaro Martinez.

Vijon të mbetet e paqartë ndërkohë edhe situata me futbollistë si Joao Mario dhe Valentino Lazaro, të cilët sezonin e fundit kanë qenë në huazim, por janë rikthyer sërish në bazë, pasi klubet përkatëse nuk ushtruan të drejtën e blerjes.

Deri tani nuk ka asnjë ofertë konkrete për këta dy futbollistë dhe Inzaghi ka kërkuar që t’i ketë në dispozicion në fillim të grumbullimit, për të bërë një vlerësim dy javor mbi gjendjen e tyre dhe mundësitë për të vijuar qëndrimin te Interi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat