Problemet e Francës

Futboll

Problemet e Francës

Më: 2 korrik 2021 Në ora: 13:37
Problemet e Francës

Kombëtarja e Francës u përball me probleme të brendshme, të cilat reflektuan edhe me eliminim nga Euro 2020. Njëri prej akterëve kryesorë të këtij eliminimi, krahas penalltisë së humbur, po konsiderohet Kylian Mbappe, i cili ishte prishësi i harmonisë së ekipit “Les Bleus”

Raporti ndërmjet Kylian Mbappe Antoine Griezmann ka qenë larg prej atij miqësore gjatë Kampionatit Evropian. Detaje të reja kanë dalë së fundmi, të cilat thuhet se ndikuan në dështimin dhe eliminimin e hershëm të Francës në “Euro 2020”. Kampionët e botës u eliminuan në të tetën e finales nga Zvicra duke mos ditur ta ruanin epërsinë prej dy golash, me ç’rast “Helvetikët” fituan me penallti.

“Les Bleus” ishin favoritët kryesorë për ta ngritur trofeun më 11 korrik, ndërsa mediat franceze tash kanë nisur t’i zbulojnë arsyet e këtij dështimi. Kylian Mbappe, i cili e humbi penalltinë vendimtare, ka qenë në qendër të “stuhisë” së mediave. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit i kishte prishur punët me Olivier Giroud para se të niste ky turne pasi sulmuesi i Chelseat kishte thënë se Franca duhet të jetë më e shkathtë përpara, pra në sulm.

Ndërsa, sipas mediumit francez “L’Equipe”, marrëdhëniet e Mbappes me Antoine Griezmannin ishin zbehur në javët e fundit. Sulmuesi i Barcelonës e kishte ndihmuar Francën ta fitonte Botërorin 2018 dhe trajneri Didier Deschamps e kishte atë lojtar për qejfi edhe në Euro 2020. Dhe, duket se ky fakt e ka bërë xheloz Mbappen, i cili konsiderohej si inferior karshi ish-futbollistit të Atletico Madridit. Prandaj, dyshja kishte pikëpamje të ndryshme rreth rikthimit të Karim Benzemas.

Mbappe ishte në favor të rikthimit të yllit të Real Madridit, kurse Griezmann raportohet se preferonte që sulmi të mbetej ai i Botërorit të fundit. Gjithashtu, kontingjenti francez ishte ankuar edhe në akomodim gjatë Euro 2020. Probleme të ndryshme priten të zbulohen në të ardhmen e afërt. Sidoqoftë, ato nuk mund të zgjidhin asgjë teksa Franca do ta shikojë pjesën e mbetur të Evropianit përmes televizorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat