“Konfiskohen” flamujt e LGBT / U shpalosën nga tifozët e Danimarkës

Futboll

“Konfiskohen” flamujt e LGBT / U shpalosën nga tifozët e Danimarkës

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 22:59
Tifozët e Danimarkës

Punonjësit e stadiumit të Bakut, ku u zhvillua ndeshja çerekfinale mes Danimarkës dhe Çekisë konfiskuan një flamur me ngjyrat e ylberit, që përfaqëson simbolin e komunitetit LGBT.

Momenti kur dy anëtarë të stafit të sigurisë në Stadiumin Olimpik të Baku iu afruan mbështetësve të Danimarkës, që kishin shpalosur këtë flamur dhe ua hoqën atë nga duart u kap në kamera.

Nuk është hera e parë që kjo ndodh gjatë turneut, me mbështetësit e Holandës që kanë raportuar se u janë konfiskuar flamujt në një zonë tifozësh në Budapest në Hungari, qyteti mikpritës i humbjes së Holandës ndaj Çekisë.

Tifozët e Holandës thanë se donin që me këtë formë të protestonin kundër Hungarisë dhe ligjit të saj anti-LGBT, ndërsa UEFA u përgjigj në një deklaratë se vendimet për të mos lejuar flamujtë në stadium nuk ishin të saja, por të autoriteteve vendase.

Incidenti vjen vetëm një ditë pasi sponsori i Euro 2020 Volkswagen tha se nga UEFA nuk ishte e mundur të përdoren banderola me ngjyrë ylberi në bordet reklamuese në çerekfinalet në Baku, Azerbajxhan dhe Shën Petersburg në Rusi, për shkak të ndalimit nga autoritetet vendase.

Prodhuesi i makinave, i cili u bë sponsor i garave ndërkombëtare të UEFA-s në 2018, thotë se organi drejtues kishte 'shqetësime në lidhje me kornizën ligjore në vendet në Rusi dhe Azerbajxhan'.

Volkswagen tha që simbolet ylberit u përdorën në çerekfinalen e Italisë në Mynih të premten dhe në Romë për ndeshjen e Anglisë ndaj Ukrainës, ndërsa shpreson se do të përdoren edhe në gjysmëfinalet e Wembley-t.

UEFA tha se mbështet plotësisht shfaqjen e mesazheve të tilla të tolerancës dhe respektit për diversitetin, por kërkon që sponsorët të sigurojnë që mesazhet e tyre dhe fushatat e marketingut të jenë në përputhje me legjislacionet e vendeve ku organizohen ndeshjet, që në Rusi e Azerbajxhan ndalohen.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat