Tifozët kërkojnë largimin e Armando Sadikut

Futboll

Tifozët kërkojnë largimin e Armando Sadikut

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 18:44
Tifozët kërkojnë largimin e Armando Sadikut

Aventura e Armando Sadikut në Bolivi po shkon keq e më keq. Ajo që duhej të ishte një mundësi e artë për t’u kthyer në një yll në futbollin e vendit të Amerikës së Jugut, tashmë po kthehet në një makth për lojtarin, të cilit tashmë i janë kundërvënë edhe tifozët e skuadrës së tij.

Paraqitjet e Sadikut kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe lojtari nuk po gjen rrugën e rrjetës, ashtu siç shpresohej të ndodhte kur u sigurua firma e tij në janar. Situata ka arritur kulmin në ndeshjen e javës së 10 të kampionatit kur Bolivar është ndalur në barazim 1-1 ndaj Oriente Petrolero.

Sadiku e nisi ndeshjen nga stoli, duke u aktivizuar vetëm në minutën e 63-të të sfidës. Ai pati shumë pak mundësi për të treguar veten dhe vetëm një rast të pastër në minutën e 81-të, të cilin e humbi në mënyrë të pabesueshme. Pas një harkimi nga e majta, ai u shfaq i vetëm para portierit por pak hapa larg kuadratit, dërgoi topin me kokë jashtë duke përfunduar në tokë i dëshpëruar.

Një rast që nuk ia kanë falur tifozët e skuadrës së Bolivar të cilët të shumtë në numër në rrjetet sociale kanë kërkuar largimin e sulmuesit, duke e cilësuar një dështim dhe një blerje të pakuptimtë të klubit të tyre.

Sadiku ka luajtur në 15 ndeshje me fanellën e Bolivar në kompeticione të ndryshme, duke shënuar dy gola vetëm në kampionatin vendas, gjë që sipas tifozëve është e pakuptimtë duke marrë në konsideratë faktin se ai është lojtari më i paguar në klub e tashmë nuk është më as titullar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat