Mesfushori kërkon pagë sa të Ibrës

Futboll

Mesfushori kërkon pagë sa të Ibrës

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 12:42
Mesfushori kërkon pagë sa të Ibrës

Është ende herët për të ndezur alarmin, por negociatat për rinovimin e kontratës së Franck Kessie nuk po shkojnë aspak mirë për drejtuesit e Milanit, që kanë hasur në një qëndrim të palëkundur të menaxherit të mesfushorit nga Bregu i Fildishtë.

Pas një sezoni në kufijtë e perfektes, Kessie ka zgjuar interesin e klubeve të shumta në Itali e Europë, ndërsa te Milani prej javësh provojnë t’i rinovojnë kontratën që skadon verën e ardhshme, pasi nuk duan ta humbin me parametra zero, siç ndodhi ne Donnarummën e Calhanoglu.

Oferta e Maldinit ka qenë ajo e një kontrate deri në verën e 2024-ës, me pagë prej 5.5 milionë eurosh neto në sezon, plus bonuset, ndërsa vetë Kessie ka rritur pretendimet në 7 milionë euro neto në sezon, ose thënë ndryshe një pagë të njëjtë me atë që përfiton suedezi Zlatan Ibrahimovic.

Javën e ardhshme pritet që menaxheri i Kessie të mbërrijë në Milano për të diskutuar sërish nga afër, megjithatë “tymi i bardhë” duket se do të kërkojë shumë kohë për të dalë, pavarësisht dëshirës së mesfushorit për të qëndruar gjatë në Milano.

Ndërkohë vëzhguesi me mjaft interes i negociatave është Liverpooli, që ka gati një ofertë prej 30 milionë eurosh, për të marrë mesfushorin në “Anfield Road”, atje ku e pret një vend i lënë bosh nga holandezi Georgino Wijnaldum, i larguar drejt PSG-së pak ditë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat