Buffon nuk dorëzohet, ka ambicie të mëdha

Futboll

Buffon nuk dorëzohet, ka ambicie të mëdha

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 17:29
Buffon nuk dorëzohet, ka ambicie të mëdha

Ndonëse në moshën 43-vjeçare, Gigi Buffon nuk ka ndërmend të “varë dorezat në gozhdë”, pasi është rikthyer te Parma me qëllim që të sjellë sërish emilianët në Serinë A, por në një intervistë për mediat italiane, nuk e fsheh as synimin madhor për të qenë pjesë e Italisë në Botërorin e Katarit vitin e ardhshëm.

“Mancini ka bërë diçka të jashtëzakonshme dhe për këtë meriton elozhe e komplimente. Unë jam 43 vjeç dhe për respekt të punës së trajnerit, nuk do të kandidohem asnjëherë, por Botërori më shërben për të ëndërruar, pasi në të kundërt pse duhet të vazhdoj të luaj. Është thuajse e sigurt që Mancini nuk do të më grumbullojë dhe me të drejtë, pasi ka tashmë lojtarët e tij, por unë duhet të mendoj që kam një Botëror përpara, në mënyrë që të motivohem edhe më shumë”, u shpreh portieri legjendar italian.

Ish shoku i Buffon te Juventusi, Federico Chiesa ishte një nga protagonistët e suksesit të Italisë në Kampionatin Europian, ndërsa gardiani 43-vjeçar pranon se fillimisht ka qenë skeptik për aftësitë e sulmuesit anësor.

“Donnarumma dhe Chiesa ishin pa diskutim dy nga elementët më të spikatur të kësaj Italie. Kur Fede erdhi te Juve një vit më parë, nuk e mendoja se ishte kaq i fortë, por një vit aty i shërbeu për t’u rritur shumë. E patë ndaj Anglisë, që kur merrte topin, nuk e ndalte dot askush. Tregoi veten në një kompeticion të rëndësishëm, aty ku shumë futbollistë nuk ia dalin të nxjerrin në pah aftësitë e tyre”, tha Buffon.

Sezonin e fundit te Juventus, Giggi-t iu desh të punojë me Andrea Pirlon trajner, një ish shok skuadre që u kritikua jo pak në aventurën e tij të re në pankinë, megjithatë Buffon e merr në mbrojtje dhe vlerëson punën e tij.

“Përveç 3-4 muajve të parë, ku natyrisht që pati disa vështirësi në menaxhimin e situatave, Pirlo u përshtat më pas shumë mirë dhe ishte një trajner i mirëfilltë. Mund të them se bëmë një sezon mjaft pozitiv, ndonëse vinim pas 9 titujsh kampion radhazi dhe natyrisht që pritshmëritë ishin më të mëdha”, u shpreh Buffon.

Me 43 vite mbi supe, Buffon nuk ka ende një datë se kur do të tërhiqet nga futbolli i luajtur, megjithatë pranon se kur të vijë ky vendim, nuk do ta vuajë shumë, pasi do t’u përkushtohet pasioneve të tjera që i ka lënë pas dore.

“Për momentin dua të ndihmoj Parmën të rikthehet në Serinë A. Tërheqjen nuk e mendoj përsa kohë që shoh se jam i aftë të bëj mirë punën time në portë. Nëse shoh që nuk ofroj më siguri, patjetër që do të tërhiqem dhe nuk besoj se do ta vuaj këtë, pasi do të rri më shumë me familjarët e mi dhe do t’u përkushtohem pasioneve të vogla, që i kam lënë pas dore gjatë karrierës time”, u shpreh portieri italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat