Belotti mban pezull rinovimin me Torinon

Futboll

Belotti mban pezull rinovimin me Torinon

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:03
Belotti mban pezull rinovimin me Torinon

Torino vijon përgatitjet nën drejtimin e kroatit Ivan Juriç, i cili u ul në pankinë vetëm këtë verë, ndërsa drejtuesit e klubit kanë nisur punën për të qartësuar të ardhmen e kapitenit Andrea Belotti.

Kontrata e sulmuesit 27-vjeçar përfundon verën e ardhshme dhe palët kanë nisur negociatat për të rinovuar bashkëpunimin deri në verën e 2025-ës, megjithatë duket se vetë Belotti ka dyshime mbi të ardhmen, pasi dëshiron transferimin në një klub ku të luajë për objektiva madhorë.

Vështirësitë në negociata i ka pranuar edhe presidenti i Torinos, Urbano Cairo, i cili ka deklaruar se klubi i ka bërë një ofertë joshëse sulmuesit 27-vjeçar dhe se tani pritet përgjigja finale e këtij të fundit, që do të vijë vetëm pas rikthimit nga pushimet.

“Belotti është me pushime dhe e presim për të hedhur dritë mbi të ardhmen. Megjithatë mund t’u them se ne i kemi bërë një ofertë mjaft të rëndësishme, duke parë edhe fuqinë tonë financiare, ndërsa tani topi është në fushën e tij dhe duhet të vendosë”, deklaroi presidenti Cairo.

Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për të rinovuar kontratën, atëherë Torino do të synojë shitjen e sulmuesit gjatë muajit gusht, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.

Aktualisht për Belottin ka shfaqur interes klubi i Romës, që është në kërkim të një qendërsulmuesi, pasi vitet mbi supet e Edin Dzekos nuk japin garanci për të përballuar një sezon të gjatë e të ngarkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat