Rustem Hoxha fluturon drejt Turqisë, gati zyrtarizimi

Futboll

Rustem Hoxha fluturon drejt Turqisë, gati zyrtarizimi

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 11:27
Rustem Hoxha fluturon drejt Turqisë, gati zyrtarizimi

Vetëm pak ditë pas divorcit me Teutën, Rustem Hoxha zgjedh klubin ku do të vijojë karrierën. Qendërmbrojtësi 29-vjeçar ka zgjedhur t’i bashkohet Ballkanit në IPKO Superligën e Kosovës dhe ka fluturuar drejt Turqisë, ku klubi nga Theranda po kryen fazën përgatitore.

Burime për Supersport konfirmojnë se marrëveshja mes palëve është arritur për një kontratë dy vjeçare dhe zyrtarizimi pritet të vijë pasditen e sotme, me Hoxhën që do të bëjë edhe prezantimin me fanellën e klubit të tij të ri.

Skuadra e drejtuar nga Bekim Isufi, synon të sjellë titullin kampion në Suharekë dhe me afrimin e Rustem Hoxhës, blindon repartin e prapavijës, pasi ka aktualisht në organikë një tjetër futbollist me eksperiencë të madhe, si Bajram Jashanica.

Nga ana tjetër, pas eksperiencave me Luftëtarin, Kukësin e Teutën në Kategorinë Superiore, Hoxha zgjedh Kosovën për të vijuar karrierën. Mbrojtësi 29-vjeçar kishte oferta të shumta edhe në Shqipëri, por duket se Ballkani u tregua më këmbëngulës dhe më bindës me ofertën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat