Propozimi i Gravinës

Futboll

Propozimi i Gravinës

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 12:40
Propozimi i Gravinës

Varianti Delta i koronavirusit po shqetëson jo pak botën mbarë dhe Federata Italiane e Futbollit po lëviz për të hartuar një plan masash, në mënyrë që sezoni i ri të jetë sa më pak i ndikuar nga urdhrat shtetërorë mbi përballimin e pandemisë.

Kështu kreu i Federatës, Gabriele Gravina ka deklaruar se ka propozuar pasaportë vaksinimi të detyrueshme për të gjithë futbollistët, stafet dhe njerëzit e angazhuar në mbarëvajtjen e kampionatit, një çështje kjo që po ngjall gjithmonë e më shumë polemika, pasi shumë lojtarë të Serisë A kanë refuzuar vaksinimin.

“Propozova pasaportë vaksinimi të detyrueshme për të gjithë futbollistët dhe punonjësit e klubeve, si në nivel profesionist, ashtu edhe atë amator, pasi ndonëse futbolli ka protokollin e vet, mbetet brenda kuadrit ligjor të shtetit. Në këtë mënyrë do të bëheshim promotorë shumë të mirë edhe të fushatës së vaksinimit, përveçse do të mbronim shëndetin e punonjësve tanë”, deklaroi kreu i FIGC.

Së fundi një dekret i qeverisë italiane “ndezi dritën jeshile” për të hapur stadiumet në masën 50% për të gjithë personat e vaksinuar, megjithatë kjo nuk e kënaq aspak Gravinën, që këmbëngul në një hapje të plotë të impianteve në Itali.

“Hapja e stadiumeve në masën 50% është shumë pak dhe ne këmbëngulim për një hapje të plotë për njerëzit që kanë pasaportë vaksinimi. Në këtë mënyrë do të mund të nxisnim edhe vaksinimin, përveçse do t’u vinim në ndihmë klubeve, që janë dëmtuar shumë ekonomikisht, nga mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit”, tha Gravina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat