Klubi anglez kërkon qendërsulmues, përgatit 130 milionë euro për Lukakun

Futboll

Klubi anglez kërkon qendërsulmues, përgatit 130 milionë euro për Lukakun

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 01:06
Romelu Lukaku

Romelu Lukaku në 2011-ën kur ishte vetëm 18-vjeç kaloi nga Anderlechti tek Chelsea për 15 milion euro. U afrua si një talent që kish debutuar që 16-vjeç me skuadrën e njohur belge dhe pritej të shpërthente tek blutë, megjithatë për disa arsye, edhe për faktin se disa trajnerë nuk i besuan duke e dërguar në huazim fillimisht tek West Bromwich e më pas tek Evertoni, Lukaku nuk u bë asnjëherë një ikonë e londinezëve dhe në 2014-ën kartoni i tij i’u shit Evertonit për 35.6 milion euro.

Nuk kemi nga ta dimë nëse në atë kohë drejtuesit e Chelsea-t e konsideruan një  lëvizje të zgjuar, por e sigurt është që sot mendojnë ndryshe. Sipas mediave në Angli, blutë po përgatiten t’i dërgojnë Interit një ofertë prej 130 milion eurosh për ta kthyer Lukakun në “Stamford Bridge” pas 7 vitesh.

Chelsea i garanton një pagë prej 10 milion eurosh në sezon, 2.5 më shumë se sa përfiton aktualisht tek Interi, megjithatë 28-vjeçari shpesh herë e ka thënë hapur dashurinë që ka për ngjyrat ziklatër dhe operacioni duket shumë i vështirë sepse kur nuk ke me vete vullnetin e lojtarit është gjithmonë e ndërlikuar rruga drejt një objektivi të merkatos.

Klubi italian për momentin nuk dëshiron të privohet nga sulmuesi kryesor, por një ofertë e tillë është tunduese, madje në një  çast të dytë nëse Chelsea kupton që ka hapësirë, atëherë mundet edhe ta shtojë ofertë, kështu që Interi edhe mund të tundohet, duke i kthyer më pas sytë edhe tek një zëvendësues që potencialisht do të ishte Duvan Zapata i Atalantës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat