Pogba planifikon të ardhmen e tij

Futboll

Pogba planifikon të ardhmen e tij

Më: 15 gusht 2021 Në ora: 15:08
Pogba planifikon të ardhmen e tij

Paul Pogba është duke planifikuar të ardhmen e tij dhe, nga sa kuptohet për momentin, mesfushori i mirënjohur francez duket se ka ndër mend të respektojë deri në fund kontratën me Manchester United, për t’u larguar më pas me parametra zero nga “Djajtë e Kuq”.

28-vjeçari me origjinë nga Guinea ka pasur vazhdimisht probleme me drejtuesit e klubit më të titulluar anglez, në lidhje me rinovimin e kontratës.

Shpeshherë numri 6 i “Red Devils” është kritikuar ashpër në shtypin britanik për shkak të lidhjes së tij të fortë me menaxherin Mino Raiola, që kujdeset për të drejtat e tij.

Marrëdhënia e tij pësoi një lloj krisje me krerët e klubit si dhe ish-trajnerin Jose Mourinho, në janarin e vitit 2018 kur kiliani Alexis Sanchez la Arsenalin për të kaluar në radhët e “djajve të kuq”, duke u bërë në këtë mënyrë futbollisti më i paguar në Ishull, me më shumë se dyfishin e pagës kundrejt mesfushorit Paul Pogba.

Pas shkarkimit të portugezit dhe emërimit të norvegjezit Ole Gunnar Solskjaer në postin e trajnerit, marrëdhënia e tij si me drejtuesit ashtu edhe tifozët u përmirësua, por gjithsesi Pogba është shigjetuar vazhdimisht gjatë gjithë kësaj periudhe, për mungesën e besnikërisë dhe deklaratat e tij kontradiktore, që i hapnin dyert kohë pas kohe në njëfarë mënyre klubeve të tjera si Real Madrid, Paris SG, Barcelona apo edhe Juventus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat