Përurohet edhe shtëpia e dytë e ndërtuar nga FSHF

Futboll

Përurohet edhe shtëpia e dytë e ndërtuar nga FSHF

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 12:18
Përurohet edhe shtëpia e dytë e ndërtuar nga FSHF

Me moton “Ne jemi një skuadër, rindërtojmë së bashku” Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon me intensitet për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, duke mbajtur premtimin e bërë pas fatkeqësisë natyrore që goditi vendin në vitin 2019.

Zv.presidenti i FSHF-së, Edvin Libohova dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, inauguruan shtëpinë e dytë të përfunduar tashmë në Shijak, e ndërtuar nga FSHF falë edhe donacioneve që kanë dhënë federatat partnere, stafi dhe lojtarët e ekipit Kombëtar, administrata e Federatës, etj.

Gjatë bashkëbisedimit me familjen e Alfred Ademit, Zv.Presidenti Libohova vlerësoi faktin se kjo iniciativë e FSHF-së po konkretizohet dhe se së shpejti do të përfundojnë edhe dy shtëpi të tjera që po rindërtohen me donacionet e siguruara nga Federata. “Kjo është shtëpia e dytë që ne kemi përfunduar së ndërtuari, ndërsa dy të tjera janë në përfundim e sipër. Fondi që arritëm të grumbullonim pas tërmetit është kontribut i botës së futbollit, por sigurisht me iniciativën e vetë Presidenti Duka dhe të vetë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në bazë të donacioneve që arritëm të mblidhnim ne kemi llogaritur të ndërtonim deri në 4 shtëpi dhe kjo nismë është pjesë e politikës që FSHF ka për mbështetjen sociale. Po kështu vepruam edhe në kulmin e pandemisë Covid-19 duke ndihmuar ekipet e futbollit financiarisht”, – tha Edvin Libohova.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Shulku, shprehu kënaqësinë që kjo familje tashmë ka një shtëpi të re falë kontributit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Kur ndërmorëm këtë iniciativë dhe duhet të gjenim disa nga familjet më në nevojë pas tërmeti, ideja e Presidentit Duka ishte që të piketonim familje nga kjo zonë që ishin më në nevojë dhe ishin goditur më shumë nga fatkeqësia dhe jemi shumë të kënaqur që tashmë ju jeni sistemuar në një shtëpi të re”, – tha Ilir Shulku.

Nga ana tyre, familja Ademi falënderoi FSHF-në për ndihmën e madhe që i dha, duke iu gjendur pranë në këtë fatkeqësi dhe duke i bërë me shtëpi të re.

Më tej, Libohova dhe Shulku u dhuruan dy fëmijëve të shtëpisë nga një fanellë të Kombëtares dhe topa, teksa u sugjeruan që të angazhohen në të ardhmen me futbollin dhe ta praktikojnë sa më shumë sportin më të bukur në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat