Superkupa e Shqipërisë është hapi i parë

Futboll

Superkupa e Shqipërisë është hapi i parë

Më: 27 gusht 2021 Në ora: 12:50
Superkupa e Shqipërisë është hapi i parë

Superkupa e Shqipërisë është hapi i parë i mbarë drejt një sezoni të ri dhe ku ka më mirë se sa ta nisësh edicionin me një trofe. Teuta kampione e Shqipërisë dhe Vllaznia fituese e Kupës do të synojnë të marrin në duar Superkupën si për të treguar edhe se cila skuadër është pak më tepër pretendente në prag të startit të kampionatit. Përballë janë dy ekipe që luftuan deri në grimcën e fundit për titullin kampion, madje e mbyllën me pikë të barabarta dhe në baraspeshë edhe në sfidat direkte, ku vetëm diferenca e golave i dha titullin “djemve të detit”.

Në krahasim me sezonin e shkuar të dy ekipet kanë pësuar ndryshime. Durrsakët  kanë ndryshuar praktikisht të gjithë linjën e mbrojtjes, ku pjesë e skuadrës nuk janë më Frashëri, Arapi i cili ka marrë rolin e drejtorit sportiv, Rustem Hoxha e Kouros, është larguar gjithashtu ndër të tjerë edhe  golashënuesi më i mirë i kampionatit të fundit, Dejvi Bregu.

Në anën tjetër kuqeblutë nuk kanë më Herald Markun, Shehin, Imamin e Haris Dilaver. Pavarësisht ndryshimeve në elementë, si Teuta e Vllaznia nuk kanë pësuar ndryshime në stol, ku Edi Martini vijon të drejtojë “djemtë e detit” teksa Thomas Brdaric është sërish në krye të stolit shkodran.

Pritet një përballje vërtetë interesante ajo që do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 19:00 në “Elbasan Arena”, aty ku do të lejohet të ketë tifozë në masën 30% të kapacitetit të stadiumit, dmth do të lejohen rreth 3800 spektatorë. Për herë të parë një ndeshje zyrtare në Shqipëri do të ketë edhe edhe ndihmën e teknologjisë sepse do të prezantohet sistemi VAR. Finales e Superkupës së Shqipërisë do të keni mundësinë ta ndiqni live në Supersport  3..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat