Pikëpyetjet e Rejas

Futboll

Pikëpyetjet e Rejas

Më: 5 shtator 2021 Në ora: 12:55
Pikëpyetjet e Rejas

Shqipëria ka një ndeshje sot me Hungarinë në Elbasan Arena që mund të cilësohet si "jetë a vdekje", pasi vetëm fitorja i bën punë kuqezinjve.

Edhe pse luajtën mirë me Poloninë, disa ditë më parë në Varshavë, humbja ishte rëndë pasi pësuan katër gola dhe që faji bie mbi mbrojtjen kuqezi. Në ndeshjen e sotme vecc humbjes, trajneri italian i kuqezinjve nuk ka të gatshëm emrat si Elseid Hysaj, Rey Manaj e Keidi Bare, të cilët me ndëshkimin në Varshavë, plotësuan numrin e kartonëve të verdhë dhe do të vuajnë pezullimin.

Megjithatë për sfidën ndaj Hungarisë, sipas Supersport, trajneri Edi Reja duket se e ka ndarë mendjen mbi formacionin që do të hedhë në fushë, pasi ashtu siç pritej, vendin e Keidi Bares në mesfushë do ta marrë “blerja” më e re e kuqezinjve, Nedim Bajrami, i cili pasi fitoi të drejtën të veshë fanellën e Kombëtares Shqiptare, tani është gati të japë kontributin e tij në fushë.

Dilema ka pasur për krahun e djathtë, ku kandidatë për një fanellë titullari ishin Doka dhe Roshi, por trajneri Reja ka zgjedhur t’i besojë eksperiencës dhe shpejtësisë së fierakut nga minuta e parë, qoftë edhe për faktin se do të synojë fitoren dhe futbollisti i Boluspor në Turqi ofron diçka më tepër në fazën sulmuese të lojës.

Në sulm, vendin e Rey Manajt të pezulluar, do ta marrë Myrto Uzuni, një futbollist që po bën shumë mirë te Ferencvaros në Hungari dhe është ndoshta futbollisti që njeh më mirë kundërshtarin, duke qenë se disa prej tyre i ka shokë skuadre dhe disa të tjerë i ka hasur si kundërshtarë në kampionatin hungarez.

Dilema e vetme e trajnerit Reja quhet Sokol Cikalleshi dhe lidhet me gjendjen fizike të këtij të fundit. Bomberi kavajas shënoi golin e vetëm në Varshavë dhe shihej si titullar në këtë takim, por një shqetësim në gju ka bërë që të jetë në dyshim, teksa vendimi final do të merret vetëm para startit të ndeshjes.

Emri favorit për të marrë vendin e Cikalleshit nëse nuk ia del, është Bekim Balaj, ndërsa pjesa tjetër e formacionit do të jetë e njëjtë si me ndeshjen në Poloni, ku Berisha do të mbrojë portën, Ismajli, Kumbulla e Gjimshiti do të rreshtohen në prapavijë dhe Gjasula, Abrashi e Trashi do të kompletojnë mesfushën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat