Rrëfimi prekës i Tomorit

Futboll

Rrëfimi prekës i Tomorit

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 18:27
Rrëfimi prekës i Tomorit

Ai lindi në Kanada, nga prindër nigerianë, por u rrit dhe u stërvit si futbollist në Angli. Oluwafikayomi Oluwadamilola Tomori, i njohur më mirë si Fikayo Tomori, është sot një nga pikat e forta të Milanit, klub të cilit iu bashkua në janar 2021, por kartoni i tij u ble kësaj vere, duke e bërë atë një lojtar plotësisht kuqezi.

Tomori, në një intervistë për DAZN, foli për origjinën e tij dhe faktin se kujdeset shumë për rrënjët nigeriane:

 “Emri im është padyshim nigerian dhe do të thotë ‘Zoti më ka mbushur me gëzim’. Është një fjali.

Në Nigeri, kur lind një fëmijë, prindërit shpesh zgjedhin një frazë që bëhet emri i tij ose i saj. Ndihem shumë nigerian, kur isha i vogël prindërit e mi më folën në Youruba, e cila është gjuha e grupit etnik që i përkasim. Unë ende ha ushqimin tipik, pjata ime e preferuar është orizi ‘jollof’, një lloj zierje e orizit. Është shumë i shijshëm, shumë afrikan dhe shumë i shëndetshëm”.

Tomori është gjithashtu shumë i lidhur me Kanadanë. I lindur në Calgary, ai gjithashtu veshi fanellën e Kanadasë U-20:

 “Kur nëna ishte 22 ose 23 vjeçe, babai im u transferua në Angli dhe ajo bëri një udhëtim në Kanada për të parë një mik. Babai im shkoi për ta parë, sepse ata ishin tashmë bashkë. Unë kam lindur në Kanada. Edhe pse u transferova në Angli kur isha fëmijë, kthehesha çdo vit, kam shumë miq të familjes atje. Kam luajtur edhe për ekipin kombëtar kanadez. Ndeshja e parë ishte kundër Meksikës, e dyta kundër Anglisë.

Me atë rast jam përballur me shumë miq. Fundjavën e kaluar kishim luajtur së bashku dhe më pas e gjetëm veten disa ditë më vonë si kundërshtarë dhe fituam”.

Ndër miqtë e tij më të mirë është Tammy Abraham, sulmuesi i ri i Romës: “Jam i lumtur për Tammy, flasim shumë çdo ditë. Kur filluam të luanim së bashku te Chelsea ishim 7 vjeç dhe më pas arritëm në ekipin e parë.

Kur rriteni aty doni të shkoni, por nuk e dini nëse do të ndodhë. Mbaj mend kur shënova golin tim të parë, ai realizoi një ‘hat-trick’ dhe ishte dita më e mirë e jetës sonë. Mount shënoi gjithashtu, ishte çmenduri. E gjitha filloi atje”.

Chelsea do të thotë shumë për Tomori, por e tashmja quhet Milani: “Tani ndihem mirë në Milano. Natyrisht, Chelsea ka qenë një pjesë e madhe e jetës sime për 15 apo 16 vite. Aty realizova ëndrrat e mia.

Kam luajtur në ‘Stamford Bridge’, kam luajtur në Premier League dhe Ligën e Kampionëve, kam debutuar me ekipin kombëtar anglez. Tani jam shumë i lumtur te Milani. Kemi mundësinë të luajmë edhe në Ligën e Kampionëve, ndoshta mund ta fitojmë, ashtu siç bëri Chelsea”.

Mbrojtësi i kuqezinjve është përshtatur në mënyrë perfekte me stilin e jetës italiane: “Unë jam shumë mirë në Milano. Jeta është krejtësisht ndryshe nga ajo në Angli. Ritmet janë më të qeta, në Angli të gjithë janë gjithnjë me nxitim dhe gjërat ndodhin shumë shpejt.

Gjithçka është më e qetë këtu, mendoj se është pjesë e stilit të jetesës italiane. Pas stërvitjes, ju pini kafe dhe bëni një shëtitje të qetë. Mbaj mend herën e parë që pashë ‘Duomo’, ishte diçka e veçantë. Është kaq mbresëlënëse, kaq italiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat