Afërdita Fazlija pas humbjes nga Norvegjia: Nuk jam e kënaqur

Futboll

Afërdita Fazlija pas humbjes nga Norvegjia: Nuk jam e kënaqur

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 23:31
Fazlija pas humbjes nga Norvegjia: Nuk jam e kënaqur

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin botëror “Australi&Zelandë e Re 2013”.

Pas barazimit në Elbasan kundër Shqipërisë (1:1), Dardanet, të martën, në stadiumin “Fadil Vokrri” janë mundur nga favoriti i Grupit F, Norvegjia, me rezultat 3:0. Disa ditë më herët norvegjezet shënuan fitore bindëse ndaj Armenisë, 10:0.

Ashtu siç pritej norvegjezët e dominuan lojën dhe si rrjedhojë ekipi i vashave tona që nga fillimi u përqendrua në mbrojtje të ngjeshur.

Megjithatë, në minutën e 12-të mysafiret kaluan në epërsi, kur pas presionit të madh në portën e Florentina Kolgecit, Viola Avduli shënoi autogol. Golin e dytë norvegjezët e shënuan në minutën e 36-të, pas një aksioni të shpejtë, të cilin e finalizoi Julie Blakstad.

Edhe në pjesën e dytë vazhdoi mbizotërimi i mysafireve, por arritën të shënojnë vetëm edhe një herë nëpërmjet Lisa-Marie Utland, në minutën e 56-të. Pas ndeshjes përzgjedhësja Afërdita Fazlija u shpreh e kënaqur me angazhimin e vashave, por jo edhe me rezultatin, megjithëse e pranoi se ky është kapaciteti i Kosovës përballë një skuadre si Norvegjia.

“E kemi ditur se do të jetë një ndeshje e vështirë. Definitivisht jemi kombëtare të pabarabarta. Norvegjia është pjesë e ekipeve më të forta evropiane dhe për këtë arsye ne edhe luajtëm me sistemin 5-4-1, me mbrojtje të ngjeshur dhe mendoj se atë që e kemi menduar edhe e kemi arritur, sepse qëllimi ka qenë t’i rezistojmë sa më shumë.

Ndoshta ka qenë hendikep i madh mungesat që i kemi pasur në mbrojtje dhe si rrjedhojë vija e fundit kishte probleme.

Por, këto janë kapacitetet e Kosovës në futbollin e femrave. Edhe më herët kam apeluar që për kombëtare të reja si ne do të duhej të aplikohej formati i Ligës së Kombeve, i cili do të ndihmonte kombëtaret e vogla që të rriteshin.

Gjithsesi, ndaj Norvegjisë vashat e dhanë maksimumin e tyre dhe paraqitja e tyre është një element i mirë edhe për ne, por edhe për klubet e futbollit në Kosovë që ndaj një kombëtareje të tillë patën mundësi t’i bëjmë pesë zëvendësime dhe të luajnë 8-9 lojtare nga kampionati vendor.

Me rezultat normalisht se nuk jam e kënaqur, pasi kjo është garë zyrtare dhe pikët janë ato që vlejnë, por humbja 0:3 ndaj një kundërshtari të tillë cilësor mendoj se nuk është rezultat i thellë, ngase kualiteti dallon shumë“, ka theksuar Fazlija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat