Dominimi i bavarezëve

Futboll

Dominimi i bavarezëve

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 18:25
Dominimi i bavarezëve

Bayern Munih prej thuajse një dekade ka vënë nën pushtetin e vet Bundesligën dhe për skuadrat e tjera është bërë thuajse e pamundur që të afrohen te titulli kampion. Dominimi i bavarezëve është aq i dukshëm sa edhe në edicionet ku ata e kanë nisur keq, rivalët nuk ia kanë dalë që t’i lënë pas dhe kanë mbyllur përsëri të shkëputur kampionatin.

Ndaj në Gjermani po mendojnë si të bëjnë të mundur ngushtimin e diferencës me bavarezët, ose të paktën t’i japin një lloj emocioni luftës për titull që duket e paracaktuar që në start. Volfgang Holzhauzer, ish-shef ekzekutiv i Bundesligës dhe i Bajer Leverkusen, ka propozuar një metodë për të bërë më emocionuese garën që dominohet pa ndalesë që nga viti 2012 nga Bajerni. Sipas tij, vetëm play-off mund t’i dhurojë kampionatit paparashikueshmërinë që duhet.

“Katër ekipet e para do të luanin në gjysmëfinale pas një sezoni të rregullt. I pari kundër skuadrës së katërt dhe i dyti kundër të tretës. Për fituesit do të jetë finalja e madhe e kampionatit.

Nuk është e mundur që në mendjen e tifozëve, gjithçka të ketë mbaruar që në tetor. Ky problem nuk zgjidhet në mënyrë ekonomike, por me një mënyrë sportive. Edhe kështu, do të kishte një avantazh financiar për kampionatin”, theksoi ai.

“Me sistemin aktual, ndoshta do të ketë një vit ku Bajerni të jetë më i dobësuar apo të ketë fat të keq me dëmtimet. Me fat, një ekip tjetër mund të përfitojë nga kjo situatë, si Dortmundi këtë vit. Por nuk është zgjidhje afatgjatë”, tregoi ish-drejtuesi i Bundesligës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat