Vardy nuk mjafton për Leicester Cityn

Futboll

Vardy nuk mjafton për Leicester Cityn

Më: 25 shtator 2021 Në ora: 18:17
Vardy nuk mjafton për Leicester Cityn

Leicester duket shumë larg formës së sezonit të kaluar, teksa pasditen e sotme nuk shkoi dot përtej barazimit 2;2 në përballjen ndaj Burnley-t dhe pas 6 javësh kampionat, e sheh veten në vendin e 12 me vetëm 7 pikë.

Në “King Power Stadium”, vendasit e nisën mirë ndeshjen, por u befasuan në minutën e 12’, kur sulmuesi Jamie Vardy devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së tij dhe u dha avantazhin miqve.

Në të 37-ën ishte sërish sulmuesi kryesor i Leicester që dërgoi topin në rrjetë, këtë herë në atë të duhurën dhe riktheu baraspeshën, por vetëm për tre minuta, pasi Cornet shënoi sërish për miqtë nga Burnley.

Mesfushori 24-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, që erdhi këtë verë nga Lyoni, shënoi një gol fantastik me goditje nga distanca dhe më pas u largua nga fusha e lojës i dëmtuar, duke i lënë vendin islandezit Gudmundsson.

Pjesa e dytë foli tërësisht për “dhelprat” që pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta për shënim, ia dolën të rikthejnë baraspeshën vetëm në minutën e 85-të, sërish me anë të Jamie Vardy-t, i cili e nisi ndeshjen me autogol, por më pas kompletoi dopietën dhe shmangu humbjen për të tijtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat