Rikthehet pas 12 vitesh derbi Partizani–Dinamo

Futboll

Rikthehet pas 12 vitesh derbi Partizani–Dinamo

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 17:04
Rikthehet pas 12 vitesh derbi Partizani–Dinamo

Rikthehet derbi, kjo është java e tij, një derbi i munguar prej plot 12 vitesh në elitën e futbollit shqiptar. Partizani-Dinamo prej dekadash ka qenë pjesë thelbësore e qenësisë së tij, të dy emra të mëdhenj të historisë, që u detyruan të kalojnë kalvare të vështira, por që tani janë sërish në elitë, për të rikthyer një përballje që aq shumë kishte munguar.

Takohen sërish këtë të premte, për fat të keq jo në kryeqytetin që e priste prej vitesh, por në “Elbasan Arena”, e megjithatë atmosfera do të jetë e zjarrtë për dy skuadra që ashtu si ua dikton historia, kërkojnë majat. Për dekada të tëra kanë luftuar për të ndarë trofe, një rivalitet që i ka bërë të krijojnë tifozëri heterogjene jo vetëm në kryeqytet, por në gjithë Shqipërinë.

Tanimë me stofin modern të së tashmes, kërkojnë të shkruajnë sërish historinë. Partizani – Dinamo risjell nostalgjinë e një futbolli që ka ndryshuar shumë, por sharmi mbetet i njëjtë e po ashtu dhe prestigji.

Në fushë do të jenë plot 34 tituj kampionë dhe kjo është një shifër që flet. E bukura është se e tashmja i përball me një stof të lakmuar, atë të pretendentëve. Dinamo e mirinvestuar kërkon menjëherë maksimumin, ambiciet e kuqe nuk mund të jenë përveçse madhore.

Vitet e mungesës kanë ndryshuar interpretuesit. “Nëndetësja blu” ka për strateg një ish-futbollist të të kuqve, Bledi Shkëmbin, ndërsa Partizani drejtohet nga Ilir Daja, idhull i tifozërisë blu për atë titull të siguruar si trajner i Dinamos në vitin 2008, mjafton të shohësh pamjet për të kuptuar se bëhet fjalë për të tjera kohë, e megjithatë derbi është rikthyer, gati për të shkruar një histori të re!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat