City-PSG, derbi i “sheikëve”

Futboll

City-PSG, derbi i “sheikëve”

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 18:46
City-PSG, derbi i “sheikëve”

Logjika sugjeron se heret a vonë, Manchester City dhe PSG do ta fitojnë Champions League. Dy klubet jo vetëm që janë më të pasurat në botën e futbollit, por edhe të mbytura me talent dhe prej vitesh dominojnë ligat përkatëse.

Por, megjithë përpjekjet e bëra në dekadën e fundit asnjëra prej tyre nuk ja ka dalë që të ngrejë trofeun më të rëndësishëm në nivel klubesh. Pep Guardiola ka fajësuar për këtë mungesën e përvojës, po ashtu edhe drejtuesit e PSG-së janë justifikuar me këtë fakt.

Ky justifikim nuk mund të qëndrojë më, as për njërën as për tjetrën. Dy klubet që përballen sonte nuk mund të fajësojnë më mungesën e përvojës në kompeticionet europiane si shkak të dështimit. Përvoja është fituar tashmë; City ishte finalistja e fitit të fundit, ndërsa PSG e një viti më parë.

Dy klubet janë të ngjashme sa i takon merkatos dhe “bollëkut” financiar. Por kanë strategji e qasje të ndryshme sa i takon arritjes te suksesi. Ka një perceptim që City është skuadër më e fortë, marrë parasysh edhe fitoret në dy ndeshjet e fundit eliminatore që janë ndeshur skuadrat në këto gjashtë vjet.

Skuadra angleze e bazon më shumë forcën e saj te trajneri dhe Pep Guardiola ishte një objektiv shumë kohë para se ai të mbërrinte në Etihad. Drejtuesit besonin se filozofia e tij e lojës, bashkë me disa përforcime mund të ndryshonte klubin dhe sillte trofe. Nuk gabuan.

Përballë është PSG, që filozofinë e suksesit e ka të bazuar plotësisht te merkatoja dhe afrimi i emrave të mëdhenj. Kjo është arsyeja se përse në “Parc de Prince” sot janë bashkë Neymar, Messi e Mbappe dhe mbahen në stol lojtarë që në ekipe të tjera do të ishin titullarë të padiskutueshëm.

Këtu ndoshta ka ndikuar edhe paqëndrueshmëria në stol. Pocettino është trajneri i gjashtë në tetë vite te parizienët. Pesë para tij fituan vetëm Ligë 1, ndërsa u shkarkuan pa asnjë përjashtim për dështimin në Champions, përfshirë këtu edhe Thomas Tuchel, që pas shkarkimit shkoi ta fitojë atë trofe me Chelsea-n.

Problemi i PSG-së është se lojtarët jo gjithmonë i përgjigjen autoritetit të trajnerit. Pocettino është i fundit që e provoi këtë, kur zëvenësoi Lionnel Messi-n. Si përfundim, PSG mund të ketë më shumë emra se City në organikë, por nuk kanë harmoninë dhe organizimin e anglezëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat