Java e katërt nis me derbin e kryeqytetit, ndeshjet të ndara në tri ditë

Futboll

Java e katërt nis me derbin e kryeqytetit, ndeshjet të ndara në tri ditë

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 21:11
Foto ilustrim

Java e tretë e Superiores rezultoi një befasi, pasi të 5 ndeshjet përfunduan në barazim, teksa renditja është bërë mjaft e ngjeshur dhe deri tani vështirë se mund të bësh ndonjë parashikim për ecurinë e skuadrave.

Megjithatë Abissnet Superiore do të rikthehet sërish në fushë për sfidat e javës së katërt, që sërish do të jenë të ndara në tre ditë të ndryshme dhe gjithçka do të startojë të premten në mbrëmje me derbin e kryeqytetit, Dinamo-Partizani.

Sfida e shumëpritur do të zhvillohet në ‘Elbasan Arena” duke nisur nga ora 19:45, pasi FSHF-ja ka “kyçur” stadiumin “Air Albania”, për ta ruajtur për ndeshjen e Kombëtares ndaj Polonisë në muajin tetor.

Të shtunën në orën 13:45 vëmendja do të jetë në Rrogozhinë, ku Egnatia do të luajë ndeshjen e tretë në shtëpi, këtë herë me synimin për të festuar fitoren e parë në elitën e futbollit shqiptar, teksa përballë do të ketë Kastriotin.

Të dy skuadrat drejtohen nga trajnerë që dinë të injektojnë doza të larta grinte dhe agresiviteti, ndaj në “Arena Egnatia” pritet të zhvillohet një 90-minutësh shumë i luftuar, natyrisht me vendasit disi më favoritë, për faktin që kanë më shumë eksperiencë në organikë.

Në orën 16:45 sytë e fansave të futbollit vendas do të jenë të stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, ku vendasit do të presin Vllazninë e Shkodrës. Këta të fundit do të kërkojnë rikthimin te fitorja e munguar prej dy javësh, ku ndonëse kanë kaluar të parët në avantazh, nuk ia kanë dalë të marrin tre pikët.

Nga ana tjetër, vendasit mbeten me objektiv për të siguruar mbijetesën, por nuk kanë fituar asnjë nga tre sfidat e para dhe synojnë “ta bëjnë sefte” ndaj shkodranëve, ndonëse për vetë kundërshtarin që kanë përballë, nuk do të jetë aspak mision i lehtë.

E diela dhuron dy sfida tejet interesante, me Tiranën që do të presë Laçin në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke nisur prej orës 13:45. Bardheblutë e nisën sezonin me një fitore bindëse ndaj Skënderbeut, por kanë marrë vetëm dy pikë ndaj Egnatias e Kastriotit, sfida që të paktën në letër, llogariteshin si fitore të sigurta.

Kjo është një tjetër arsye që bardheblutë të kërkojnë fitoren ndaj Laçit, pasi çdo rezultat tjetër do të komplikonte jo vetëm ecurinë e tyre, por edhe pankinën e Orges Shehit, të cilit këtë sezon i janë plotësuar thuajse të gjithë kërkesat në merkato.

Një situatë aspak të mirë në aspektin e rezultateve po kalon edhe Laçi, që pas humbjes me Vllazninë, ka regjistruar dy barazime radhazi dhe është ende në pritje të fitores së parë, por duke njohur temperamentin e drejtuesve kurbinas, vështirë se trajneri Vukiçeviç do të pritet gjatë për të sjellë suksesin.

Në orën 16:45, Kukësi do të presë Teutën në “Elbasan Arena”, në një tjetër 90-minutësh që premton spektakël. Verilindorët janë ata që kanë grumbulluar më shumë pikë deri tani, plot 7 të tilla dhe ndaj Teutës do të kërkojnë një tjetër sukses.

Nga ana tjetër “djemtë e detit” nuk kanë bindur sa duhet në tre javët e para, por megjithatë numërojnë 5 pikë dhe mbeten ende favoritë për titull. Të gjitha sfidat do të transmetohen ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 3, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar futbollit vendas “Gol pas Goli”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat