Komiteti “HatTrick” i UEFA-s mblidhet në Tiranë

Futboll

Komiteti “HatTrick” i UEFA-s mblidhet në Tiranë

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 10:27
Komiteti “HatTrick” i UEFA-s mblidhet në Tiranë

Anëtarët e Komitetit HatTrick të UEFA-s kanë mbërritur të mërkurën në Tiranë në kuadër të mbledhjes së radhës së këtij komiteti që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Fillimisht, delegacioni i UEFA-s, i kryesuar nga kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, i cili është njëkohësisht edhe Zv.President i UEFA-s, kanë vizituar ambientet e Shtëpisë së Futbollit dhe janë njohur me investimet që FSHF ka bërë në këtë kompleks. Në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, ku do të zhvillohet edhe mbledhja e këtij Komiteti, anëtarët e HatTrick kanë inauguruar muzeun e futbollit, duke u njohur me një pjesëz të historisë së futbollit shqiptar.

Më tej, delegacioni u spostua në stadiumin “Air Albania”, vepra më e madhe infrastrukture e ndërtuar në vendin tonë edhe me kontributin financiar të “HatTrick”. Siç është edhe traditë në mbledhjet apo takimet e UEFA-s, anëtarët e Komitetit zhvilluan edhe një ndeshje futbolli ku nuk munguan golat dhe momentet e gëzuara.

Pas aktivitetit në stadium, i gjithë delegacioni u drejtua për në darkën zyrtare, ku Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi në Tiranë dhe duke e konsideruar si një event historik dhe vlerësim për futbollin shqiptar organizimin e një takimi kaq të rëndësishëm në Tiranë, shprehu bindjen se në mbledhjen e nesërme do të merren vendimet e duhura në të mirë të futbollit europian.

“Ky aktivitet për mua është historik sepse vjen pas një kohe të vështirë pandemie dhe kemi bërë shumë takime online dhe më në fund sot takohemi për herë të parë, pas një periudhe thuajse dy vjeçare fizikisht dhe uroj që kjo periudhë e vështirë covid-i të ketë kaluar. Besoj që ju do ta kujtoni që pas kësaj periudhe të vështirë, jemi takuar në Tiranë dhe kështu do ta kujtoni edhe më shumë Tiranën apo Shqipërinë.

Duke qenë vërtetë një vlerësim për futbollin shqiptar, unë do të doja të falënderoja në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, Kryetarin e Komitetit HatTrick, z. Karl-Erik Nilsson dhe administratën e UEFA-s që bënë të mundur organizimin e këtij eventi të rëndësishëm në Tiranë. Gjithmonë HatTrick -u, si një nga Komitetet më të rëndësishme të UEFA-s, merr vendime të rëndësishme, këtë gjë duhet të bëjë edhe nesër. Unë jam shumë i bindur që me debatet e diskutimet e nesërme, ne do të marrim vendimet e duhura që do t’i shërbejnë projekeve të zhvillimit të futbollit europian” – u shpreh Duka.

Edhe kryetari i Komitetit HatTrick, Karl-Erik Nilsson, pas vizitës në ambientet e reja të Shtëpisë së Futbollit dhe stadiumit Kombëtar “Air Albania” u shpreh mjaft i kënaqur nga pritja e ngrohtë në Tiranë, teksa falënderoi presidentin Duka dhe administratën e FSHF-së dhe UEFA-s për organizimin e këtij takimit. Ai foli edhe për takimin e nesërm të HatTrick, ku theksoi se vendimet që do të merren do të jenë për zhvillimin e futbollit europian. “Më vjen shumë mirë që ju shoh sërish. U bë kohë e gjatë që nga takimi i fundit fizikisht dhe kemi kohë që e kemi planifikuar këtë takim në Tiranë, por më në fund jemi këtu dhe të falënderoj për mikpritjen Armand. Ju falënderoj shumë për mikpritjen e ngrohtë sot në Tiranë. Ishte bukur të shihje ambientet tuaja të reja të Federatës dhe mundësitë e shkëlqyera për të zhvilluar futbollin përmes këtyre lehtësirave fantastike dhe do të bëhet më mirë kur të mbarojnë edhe dy fushat.

Dhe pastaj shkuam në stadium, një stadium i bukur, që i mbushur plot, imagjinoj një atmosferë të plotë. Sa i përket HatTrick -ut është një Komitet i rëndësishëm, ku i japim mundësinë të 55 federatave anëtare të përfitojnë nga projektet dhe është vërtetë një privilegj të punosh me këtë Komitet dhe dua të falënderoj edhe administratën e UEFA-s për organizimin e këtyre takimeve. Jemi përpara takimit të nesërm, ku do të merren vendime që sigurisht do të jenë në të mirë të futbollit, për zhvillimin e futbollit. Do të doja të falënderoja edhe administratën e FSHF-së për organizimin e këtij takimi” – përfundoi z.Nilsson.

Ndërkaq, të enjten në mëngjes do të zhvillohen edhe punimet e mbledhjes së Komitetit HatTrick, ku do të shqyrtohen dhe miratohen projekte të rëndësishme të futbollit evropian.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mban pozicionin e Zëvendës-Kryetarit të Komitetit HatTrick ku është zgjedhur që në vitin 2017, së bashku edhe me Leo ëindtner, George Koumas, Michail Kassabov dhe Tomas Danilevicius, ndërsa anëtarë të këtij komiteti janë Agim Ademi (President i FFK-së), Tom Borgions, Mette Christiansen, Donel Conway, Niccolơ Donna, Peter Frymuth, Sylvain Grimault, Neil Jardine, Kaarlo Kankkunen, Jozef Kliment, Vadym Kostiuchenko, Miroslaw Malinowski, Armen Melikbekyan, Maxim Mitrofanov, Filip Popovski, Teresa Romao, Jovan Surbatovic, Amirzhan Tussupbekov, Márton Vági, Yury Verheichyk, Cengiz Zülfikaroğlu dhe Kurt Zuppinger. I ftuar nderi në këtë mbledhje ishte edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamet Sejdiu.

Në 17 vite të programit HatTrick, UEFA ka financuar në më shumë se 1500 projekte me një vlerë të madhe financiare, duke e kthyer HatTrick në programin më të madh për zhvillimin e futbollit dhe solidaritetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat