De Biasi: Ja pse në Shqipëri ishte më e lehtë

Futboll

De Biasi: Ja pse në Shqipëri ishte më e lehtë

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 19:34
De Biasi: Ja pse në Shqipëri ishte më e lehtë

Aventura e dytë e Xhani De Biazit në stilin e një përfaqësueseje pas asaj kuqezi nuk po shkon ashtu siç shpresonte tekniku i cili bëri historinë me Shqipërinë.

Trajneri mendonte se mund të përsëriste një mrekulli të vogël me Azerbajxhanin por deri tani ekipi ka lënë për të dëshiruar dhe mbetet në vendin e fundit në grup, pa shumë shpresa për të bërë hapa para me vetëm 1 pikë në 6 ndeshje të luajtura.

Pas humbjes së djeshme 3-0 përballë Irlandës, tekniku është vënë në epiqendër të kritikave, pasi pritej një reagim i skuadrës apo të paktën një lojë më e mirë. Shtypi sportiv është mbushur me deklarata të figurave të futbolli azer kundër trajnerit dhe lojës që i mungon skuadrës, me zërat për shkarkimin e tij që kanë filluar të bëhen më të zakonshëm.

Por vetë De Biazi mendon se ekipi ka bërë maksimumin me kapacitetet që ka, duke theksuar se problemi kryesor ishte se futbolli azer nuk prodhonte lojtarë që mund të luanin në nivelet e larta ndërkombëtare në klube të njohura.

“Goditja e parë në portën tonë çoi në gol të pësuar. Për sa i përket lojës, ne kemi qenë mbi rivalin. Por kjo është diçka që ndodh në futboll. Isha i kënaqur me lojën. Rezultati ishte i padrejtë. Plus, portieri irlandez ishte i fortë. Edhe po të kishim luajtur deri në mëngjes, mund të mos kishim shënuar.

Fajin për humbjen e kam unë, si në të gjitha ndeshjet. Është gjithashtu faji im që ne jemi të fundit në grup sot.

Por themeli është hedhur që në fillim. Fatkeqësisht, ne luajtëm 13 nga 16 ndeshje jashtë. Gjërat e mëdha kërkojnë kohë. Pas rezultateve të tilla, reputacioni bie. Unë e urrej humbjen.

Në Shqipëri ishte më e lehtë, sepse shumica e lojtarëve ishin legjionarë. Ne duhet të shkojmë tek objektivi ynë hap pas hapi. Përvoja e legjionarëve tanë duhet të na ndihmojë por kemi pak zgjedhje”, tha De Biasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat