Shqipëria luan me gjysmë ekipi ndaj Polonisë

Futboll

Shqipëria luan me gjysmë ekipi ndaj Polonisë

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 15:35
Shqipëria luan me gjysmë ekipi ndaj Polonisë

Të thuash që jemi në një moment të vështirë është pak, por të thuash që jemi të pafat, nuk ke thënë asgjë. Shqipëria do të luajë kundër Polonisë me gjysmë ekipi në finalen e historisë, atje ku numërohen qartësisht 6 mungesa të rëndësishme, ku të paktën 5 prej tyre do të ishin me fanellë titullari në “Air Albania”.

Fillimisht ishin mungesa e Abrashit dhe të Laçit që ishin të ditura për shkakun e dëmtimit të tyre.

Ndërkohë në transfertën me Hungarinë kemi fituar, por kemi marrë edhe një humbje të madhe, Berat Gjimshiti. Ky ishte i vetmi futbollist që ka mbajtur vazhdimësinë në nivelet më të larta te Shqipëria në gjithë ndeshjet e fundit, teksa do të dilte i dëmtuar në minutën e 30 dhe nuk mund të jetë gati për 1 muaj.

Ndërkohë edhe mungesa e Cekicit është bërë e ditur nga Hungaria për shkak të kartonëve të marrë dhe do të jetë i pezulluar. Por në ditën e djeshme mbërriti lajmi që Cikalleshi që mendohej si titullar për ndeshjen me Poloninë, rezultoi me COVID. “Mua mund të më ndalni, por Shqipërinë jo”, ishte mesazhi i tij.

E teksa ishim duke u munduar që të përtypnim të gjithë këto zhvillime, vjen lajmi i fundit, Klaus Gjasula.

Vetëm pak orë para ndeshjes futbollisti ka shfaqur shenja të COVID-19 dhe ka rezultuar pozitiv me COVID, duke ia bërë dhimbjen e kokës Rejës më të madhe.

Gjashtë mungesa të rëndësishme në një finale, me siguri, do ta ndienin edhe Kombëtaret e nivelit më të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat