Dëshpërim në stërvitje, Tirana nis përgatitjet për Kupën

Futboll

Dëshpërim në stërvitje, Tirana nis përgatitjet për Kupën

Më: 29 maj 2017 Në ora: 06:28
Tirana

Situatë e rëndë në kampin bardheblu. Presidenti Halili i pranishëm në stërvitjen e skuadrës: “Tashmë kemi rënë nga kategoria, është katastrofë. Të shohim çdo ndodhë më mbrapa, por tani duhet të përqendrohemi te Kupa”

Kokëulur dhe të dëshpëruar. Pas rënies nga kategoria për të parën herë në histori, lojtarët e Tiranës janë paraqitur në stërvitje edhe këtë të diel, duke nisur përgatitjet për finalen e Kupës së Shqipërisë. Lotët pas barazimit në Loro Boriçi me Vllazninë, që vulosi largimin e bardhebluve nga kampionati elitar në vend, kanë lënë pasoja të dukshme. Të dëshpëruar, pothuajse të gjithë futbollistët hynë nga dera dytësore të stadiumit “Selman Stërmasi”. Disa përshëndetje kortezie dhe pastaj sërish në një botë virtuale në mendjen e tyre, me shpresën se do të zgjohen nga ky makth.

Megjithatë, rënia në kategoritë inferiore është një realitet. Këtë e ka kuptuar edhe presidenti Halili, i pranishëm në stërvitjen e ekipit, të zhvilluar me dyer të mbullyra. Në ato pak fjalë që shkëmbeu me lojtarët, drejtuesi më i lart i klubit tha: “Tashmë kemi rënë nga kategoria, është katastrofë. Të shohim çdo ndodhë më mbrapa, por tani duhet të përqendrohemi te Kupa”. Një tentativë për ti ngritur moralin skuadrës, për finalen e 31 Majit, ku Tirana do të luajë ndaj Skënderbeut. Një ndeshje, ku për hir të së vërtetës edhe fitorja do të vlente pak. Rënia nga kategoria është nga ato që rëndojnë. Madje shumë. Por, nëse është e vërtetë që të fortë janë ata që bien dhe gjejnë forca të ringrihen, ky është rasti i Tiranës.

Edhe pse sezonin e ardhshëm do të luajë në Kategorinë e Parë, bardheblutë kanë një mundësi të jenë edhe në kupat e Europës. Këtë sezon që u mbyll kjo i ndodhi Zyrihut të Armando Sadikut. Për Shqipërinë do të ishte një rast unik. Një rekord nga skuadra rekordmene në vend. Edhe kjo është një mënyrë e të shkruajturit të historisë…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat