FSHF godet Flamurtarin e Vllazninë

Futboll

FSHF godet Flamurtarin e Vllazninë

Më: 29 maj 2017 Në ora: 12:46
Tifozët e Vllaznisë

Federata Shqiptare e Futbollit ka zbuluar sot situatën e licencimit të klubeve shqiptare për sezonin e ardhshëm. Në një konferencë për shtyp, përgjegjësi i Sektorit të Licencimit, Eduart Gjini, tregoi se vetëm 7 klube shqiptare përfituan këtë vit licencë për pjesëmarrjen në kupat e Europës.

“Në fillim të procesit, të gjithë klubet dorëzuan dokumentacionin për përfitimin e licencës europiane. I pari që u skualifikua ishte Korabi për mosplotësim të kushteve dhe dibranët nuk e apeluan vendimin për shkak se kishin marrë rrugën e rënies nga kategoria. Më datë 4 maj, pas plotësimit të së gjithë kushteve, u pajisën me licencë Kukësi, Partizani, Skënderbeu, Luftëtari dhe Teuta.

Ndërsa Vllaznia, Flamurtari, Tirana dhe Laçi nuk e përfituan dot licencën. Këtyre klubeve u la një afat për të apeluar vendimin, dhe të vetmit që apeluan ishin Tirana dhe Laçi, të cilët pas dorëzimit të dokumenteve shtesë, arritën të pajiseshin me licencë”, tregoi Gjini.

Mungesa e licencimit për në kupat e Europës tregon qartazi se pse Vllaznia apo Flamurtari nuk u mobilizuan gjatë muajit të fundit të kampionatit për të kapur vendin e 4-t në renditje. Të dyja skuadrat u mjaftuan me sigurimin e mbijetesës vetëm në javën e fundit të Superiores.

Gjini foli dhe për licencimin e pjesëmarrjes në Superiore të dy ekipeve të sapongjitura, Lushnja dhe Kamza. Ai tha se këto klube kanë një problem të njëjtë, atë të infrastrukturës, të cilin duhet ta plotësojnë deri në mes të muajit korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat