Nuk mund të mbahet me hatër Tirana

Futboll

Nuk mund të mbahet me hatër Tirana

Më: 30 maj 2017 Në ora: 10:09
Miço Papadhopulli e De Biasi

Një ditë pas verdiktit të kampionatit ku Tirana bie për herë të parë në historinë e vet një kategori më poshtë, ka nisur menjëherë debati në rrjetet sociale dhe media për ndryshimin e formulës së kampionatit për sezonin e ri. Palët janë qartësisht të ndara, nga një anë ata që mbështesin dhe kërkojnë që të bëhet një amnisti për Tiranën dhe nga ana tjetër të tjerët që nuk e konsiderojnë dramë rënien e skuadrës bardheblu.

Miço Papadhopulli, ish-president i FSHF-së dhe aktualisht president nderi i institucionit të futbollit shqiptar, njohës shumë i mirë i rregullave dhe parimeve të lojës, është i qartë në mendimin e tij. “Nuk ka pse të bëhet amnisti për Tiranën. Ajo skuadër të vazhdojë punën e saj në Kategorinë e Parë”, flet qartë “Daja”.

I pyetur në lidhje me idenë më të fundit që ka nisur të qarkullojë për ndryshimin e formulës dhe rikthimin e Tiranës në Superiore, Papadhopulli shprehet: “Jo, nuk mendoj se duhet ndryshuar formula. Tirana le të vazhdojë në Kategorinë e Parë sipas verdiktit që dha gara. Tirana le të organizohet sërish, ka shumë personazhe që mund të kontribuojnë maksimalisht për këtë klub dhe të rikthehet sërish në elitë.

Nuk mund të mbahet një ekip me hatër. Kampionati dha verdiktet e veta dhe nuk ka pse të ndryshohen rregullat në fund. Është një situatë e qartë ku FSHF nuk ka pse të ndërhyjë. Ajo është puna e klubit bardheblu. Tirana kur kishte vetëm 30 mijë banorë kishte një skuadër shumë të mirë. Ndërsa, tani që ka 1 milion e shikoni vetë se si përfundoi”, u shpreh ish-kreu i FSHF-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat