Rrëfehet

Futboll

Rrëfehet

Më: 30 maj 2017 Në ora: 16:31
Armand Duka
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dalë sot para gazetarëve, në një bashkëbisedim të titulluar “epilogu i sezonit”. Në lidhje me akuzat që i bëhen atij personalisht dhe institucionit që drejton nga presidenti dhe trajneri i Partizanit, kreu i futbollit shqiptar tha: “Marrëdhëniet e mia me presidentin e Partizanit nuk janë të vjetra, por që kur ka ardhur në futboll. Ato kanë qenë korrekte. Nga sa kam dëgjuar, ai mendon se nuk kam dashur unë, që Partizani të fitojë titullin, por nuk është kështu. Bindjen e tij nuk e zhbëj dot. Kujtoj se Partizanin, në kohën kur rrezikonte të zhdukej edhe si stemë, FSHF e ka ndihmuar për t’u regjistruar në garë, sepse nuk kishte mundësi financiare ta bënte këtë. Kemi paguar edhe që skuadra të udhëtonte nëpër transferta. Në rastin e Partizanit ka një problem të madh. Trajneri Starova ngatërron objektivat e klubit me ato personale. Nëse ai do të kthehet në drejtimin e FSHF-së, ka rrugë të hapura. Ka një asamble, le t’i nënshtrohet votimit, se ndoshta tani është më i përgatitur se herën e parë, kur kam bashkëpunuar me të.
 
Kështu ka bërë Starova edhe kur ishte te Tirana, më pas te Kukësi dhe të njëjtën gjë po bën te Partizani. Nuk kam asgjë personale me Starovën, por dështimet e veta të mos kërkojë t’i kalojë te të tjerët”.Në lidhje me situatën e gjyqtarëve, Duka shton: “Gjatë vitit ka patur disa pezullime gjyqtarësh. Nuk e di nëse në të gjitha rastet ka qenë objektiv apo subjektiv vendimi i marrë. Ka qenë komisioni i gjyqtarëve, ai që ka marrë vendime në bazë të analizave profesionale. Uroj të mos ketë pasur pezullime të padrejta. Nuk mund të kemi statistika të sakta sa herë kemi patur të drejtë apo jo. Ka subjektivizëm edhe në kësi rastesh. Gabime arbitrale ka pasur dhe do të ketë. Sidoqoftë, jam i bindur që ky kampionat ka përfunduar sipas asaj që fusha ka përcaktuar. Ekipi kampion ka zhvilluar 35 ndeshje dhe nuk ka humbur asnjë. Kampionati ka nisur me një gabim në ndeshjen e parë, Partizani-Luftëtari, në minutën e 96-të. Është dhënë një penallti e gabuar. Nëse kampionati ndahet nga një penallti, nuk do të thotë se kjo skuadër është shumë më e keqe se tjetra. Dy fjalë edhe për regjistrimin e bisedës së futbollistit të Partizanit, Vilës, me Drini Çaushin. Ne e kemi ndjekur hap pas hapi këtë çështje. Për ne duket qartazi që është një tentative, që dikush dëshiron ta manipulojë. Ne s’kemi të bëjmë me të. Ai është një njeri që është rreth botës së futbollit, por jo përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne e kemi inkurajuar Vilën. Qëndrimi ynë ka qenë ky: të inkurajojmë lojtarin dhe ta asistojmë juridikisht për ta çuar çështjen deri në fund. Maksimumi që mund të bëjë një institucion futbolli është ta dënojë një përfaqësues të FSHF-së me përjashtimin e përjetshëm. Por, ai nuk ka qenë dhe nuk është përfaqësues i organizatës sonë.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat