Skënderbeu, lideri shqiptar në UEFA

Futboll

Skënderbeu, lideri shqiptar në UEFA

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 13:18
Pamje nga një ndeshje

Zbardhet renditja e re në klubet shqiptare në ranglistën e UEFA-s. Një renditje shumë e rëndësishme në bazë të së cilës përcaktohen më pas edhe rivalët që ke përballë në Kupat e Europës, duke u nisur nga koeficienti që kanë.

Skënderbeu vazhdon të jetë klubi shqiptar i renditur më lart, por me një rënie të lehtë në krahasim me një vit më parë. Kurse Partizani ka bërë kapërcimin më të madh, duke u ngjitur 82 pozicione më lart.

Skënderbeu që nuk mori pjesë vetëm sezonin e kaluar në Kupat e Europës në gjashtë vitet e fundit është klubi shqiptar i renditur më mirë. Mospjesëmarrja vitin e kaluar për shkak të dënimit nga UEFA është reflektuar edhe në renditje, ku nga vendi i 198-të korçarët kanë zbritur në vendin e 204-t, duke humbur gjashtë pozicione.

Partizani që vitin e kaluar shkëlqeu në Europë, duke kaluar një tur në Ligën e Kampioneve dhe mbërriti deri në “play-off” të Ligës së Europës, ka rikuperuar 82 pozicione, duke u ngjitur nga vendi i 415-t në të 333-in. Edhe Kukësi dhe Teuta kanë pësuar ngjitje, duke rikuperuar respektivisht 26 dhe 25 pozicione. Ndërkohë që kanë pësuar rënie Flamurtari dhe Tirana.

Për sa u përket rivalëve të klubeve shqiptare në Europë, më lart është Makabi Tel Aviv që do të luajë ndaj Tiranës dhe më pas renditen Sherif Tiraspol e Botev Plovdiv. Kundërshtari i Skënderbeut, San Julia, renditet në vendin e parafundit, 452, të gjithë renditjes së UEFA-s, duke lënë mbrapa vetëm një klub.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat